LDK-ja në Vushtrri me peticion për rikthimin e Xhafer Tahirit kryetar
Dega e LDK-së në Vushtrri ka bërë peticion, nëpërmjet të cilit kërkon kthimin e Xhafer Tahirit në krye të Degës.
“Ky peticion është nënshkruar nga 203 anëtarë të strukturës së Degës së LDK-së, ku përfshihen: themeluesit e Degës, asamblistët e zgjedhur, anëtarët e Kryesisë, kryetarët e Nëndegëve, komisionerë, vëzhgues dhe aktivistë të Degës”, thuhet në njoftimin e Degës.
Bëhet e ditur se ky peticion është dorëzuar nga sekretari i Degës, nënkryetarët dhe sekretari organizativ drejt selisë qendrore të LDK-së.
Xhafer Tahiri kishte dhënë dorëheqje pak ditë më parë nga posti i kryetarit të Degës. Ai kishte lidhur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje para zgjedhjeve të balotazhit pa aprovim të Zyrës Qendrore të LDK-së. Kjo kishte shkaktuar polemika të shumta brenda partisë.
Ndërkohë, LDK-ja kishte autorizuar Adnan Lahun dhe Fisnik Bashollin të bashkëmenaxhojnë Degën në Vushtrri.