PZAP-i kundër KQZ-së, nuk lejon votimin jashtë misioneve diplomatike
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka pranuar ankesën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke e rrëzuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për hapjen e qendrave të votimit jashtë përfaqësive diplomatike.
Me këtë vendim, PZAP-i rikthen praktikën që votimi jashtë vendit të zhvillohet vetëm në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës, për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.
Sipas vendimit, PZAP-i pranon ankesën e LDK-së, ndërkaq ndryshon vendimin e KQZ-së të 26 nëntorit.
Qendrat e votimit jashtë vendit do të jenë vetëm në përfaqësitë diplomatike të Kosovës ose hapësirat e tyre, ndërsa eliminohet mundësia për qendra votimi në lokacione të tjera shtesë.
PZAP-i thotë se KQZ-ja ka shkelur ligjin duke miratuar hapjen e qendrave të reja jashtë misioneve diplomatike.
Paneli thekson se nuk janë respektuar: Neni 96(3) i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, si dhe Neni 2.2 i Rregullores 05/2024 për qendrat e votimit.
Ligji përcakton qartë se votimi fizik jashtë vendit bëhet vetëm brenda përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës.
KQZ kishte pretenduar se vendimi për hapje të qendrave shtesë ishte i nevojshëm për të shmangur vonesa dhe probleme në regjistrimin e votuesve të diasporës.
PZAP-i e konsideroi këtë arsyetim të pabazuar, duke deklaruar se votimi vetëm në hapësirat diplomatike është një masë mbrojtëse për integritetin e votës dhe se kjo nuk paraqet pengesë për votuesit jashtë vendit.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votuesit jashtë Kosovës mund të votojnë: Fizikisht në përfaqësitë diplomatike dhe me postë, përmes kutive të KQZ-së.
Ligji nuk lejon alternativa të tjera për qendra votimi jashtë vendit.
Po ashtu, votimi në përfaqësitë diplomatike duhet të zhvillohet një ditë para zgjedhjeve në Kosovë.