28 milionët e Prishtinës, apel që Qeveria t’i përshpejtojë procedurat

Ndonëse Kuvendi Komunal i Prishtinës miratoi 28 milionë euro, mjete të mbetura të vitit 2024 në 2025, kriza me transportin publik në kryeqytet vazhdon ende e kjo deri në ekzekutimin e mjeteve.

Monitorues të Komunave thonë se mjetet e miratuara nga Kuvendi Komunal paraqesin një zgjidhje të përkohshme dhe se niveli qendror duhet t’i përshpejtojë procedurat për ekzekutimin e mjeteve.

Stacionet e autobusëve në kryeqytet, sot janë pa udhëtarë e pa autobusë që ndalen.

Kjo ngase protesta e Trafikut Urban do të vazhdojë ende ndonëse një ditë më parë, në Kuvendin Komunal u miratua kalimi i mjeteve nga viti 2024 në 2025, një vlerë prej 28 milionë eurosh.

Në një njoftim publik, Trafiku Urban njoftoi se do ta vazhdojë protestën deri në ekzekutimin e mjeteve, veprim për të cilin, bëri thirrje për t’i përshpejtuar procedurat.

Por, megjithkëtë sipas monitoruesve të nivelit lokal, kjo është një zgjidhje e përkohshme.

“Mendoj se do mjafton në përmbylljen e këtij viti për zi bërë pagesat që janë me vonesa, të punëtorëve dhe obligimet që kanë e me fillimin e vitit, qeveria dhe niveli lokal duhet vendosur si do veprojnë tutje. Ligji parasheh që në mungesë të mirazimit zë buxhetit për vitin vijues, dy muaj deri në tre, ka mundësi që një e 12 e buxhetit të rialokohet bazuar në buxhetin e vitit paraprak dhe me to të kryhen zhvillimet bazike por pa pasur zhvillim. Është imediate të krijohen insitucionet”, ka thënë Shemsi Jashari – Monitorues i komunave.

Juristët thonë se tani duhet të veprojë Qeveria në afatin e përcaktuar ligjor.

”Ky proces duhet kryhet brenda afatit prej 30 ditësh dhe shkon përmes ministrisë përkatëse, pra MAPL e cila kërkesën e adreson tek ministrit respektive. Është i natyrës urgjente dhe shpresojë që palët të veprojnë brenda afateve”, ka thënë Ardian Bajraktari – Avokat.

Nga ana tjetër Komuna e Prishtinës lidhur me këtë çështje nuk ka deklaruar se nuk ka një përgjigje për ta dhënë aktualisht, deri javën e ardhshme. /dukagjini