Presidentja uron 28 Nëntorin: Dy shtete, një komb - dy flamuj, një zemër

Presidentja e Kosovës ka uruar me rastin e 28 Nëntorit, duke e vlerësuar këtë ditë si pikëtakimin e katër ngjarjeve që formësojnë identitetin dhe krenarinë kombëtare shqiptare.

Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka përmendur Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e komandantit legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ngjarje të cilat, sipas saj, përbëjnë “boshtin e krenarisë sonë kombëtare”, transmeton Zeri.info.

Presidentja ka risjellë në vëmendje figurat dhe vendet kyçe të historisë shqiptare, nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i familjes Jashari, duke theksuar se rrugëtimi kombëtar është ndërtuar mbi “gjak, guxim dhe besim”.

Ajo ka nënvizuar lidhjen e pandashme mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke e përmbledhur me mesazhin: “Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër”.

Në fund të urimit, Presidentja ka shprehur respektin për të gjithë ata që kanë sakrifikuar për lirinë dhe shtetësinë shqiptare.

“Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, ka përfunduar ajo mesazhin e saj festiv. /Zëri