“Farsë politike”, Murati thotë se LVV-ja po e zgjidh buxhetin e Prishtinës që LDK-ja vetë e bllokoi
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas mbledhjes së sotme të Qeverisë ka folur në një konferencë për media lidhur me situatën e krijuar në Komunën e Prishtinës rreth çështjes së buxhetit.
Ai tha se problemi me të cilin po përballet komuna është plotësisht i vetëshkaktuar dhe nuk ka të bëjë aspak me ndonjë bllokadë nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka pasur buxhet të alokuar për kategorinë mallra dhe shërbime, ndërsa tejkalimi i buxhetit nga ana e komunës ka krijuar detyrime pa mbulesë duke e shkelur kështu Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike.
“Është e qartë se komuna, respektivisht kryetari i Komunës së Prishtinës ka hyrë në obligime pa pasur mbulesë buxhetore. Kjo është shkelje e drejtpërdrejtë e ligjit dhe për këtë duhet të jepet llogari. Nuk ka pasur asnjë bllokadë nga Qeveria buxheti ka qenë i alokuar, por është tejkaluar në kundërshtim me rregullat”, tha Murati.
Ai mirëpriti faktin që sot Kuvendi Komunal i Prishtinës do të mbaj një seancë të jashtëzakonshme për miratimin e alokimit të të hyrave vetanake, në mënyrë që të shfrytëzohen për pagesën e faturave të mbetura.
Murati gjithashtu uroi që në këtë seancë siç tha ai “t’i jepet fund farsës së propaganduar se Komuna është bllokuar nga Qeveria”.
Murati shtoi se atë që nuk e bëri LDK-ja dhe Lumir Abdixhiku në Kuvendin e Kosovës, po e bënë sot Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.
“Këtu kemi pasur të bëjmë me një fushatë të LDK-së. E njëjta parti, kur ishte seanca për ta votuar buxhetin në Kuvendin e Kosovës, nuk e bëri. Atë që nuk e bëri Lumir Abdixhiku dhe LDK-ja në Kuvend për buxhetin e Prishtinës, sot po e bën LVV-ja në Kuvendin Komunal, duke ofruar votë mbështetëse pavarësisht ofendimeve e fyerjeve”, tha Murati. /Telegrafi