Po afrohet dita e ceremonisë së bashkëemërtimit të rrugës “Isa Boletini” në Staten Island

Komuniteti shqiptar në Staten Island po përgatitet për një ditë historike më 30 nëntor 2025, ku për herë të dytë po realizohet një bashkëemërtim rruge në nderim të heronjve tanë kombëtarë.

Pas suksesit të aktivitetit të parë në qershor të vitit 2023, kur u bashkëemërtua rruga me emrin e heroit kombëtar “Ismail Qemalit”, puna e palodhur për të vazhduar me ruajtjen e figurave kombëtare nuk është ndalur asnjë moment.

Çdo gjë nisi me iniciativën e Naser Nika, i cili solli idenë dhe vizionin për këtë projekt. Më pas, në këtë rrugëtim iu bashkua djali i heroit të Kosovës Shpetim Qorraj, i cili ndërmori drejtimin e takimeve me organizatat jofitimprurëse dhe komunitetin shqiptar.

“Fatmirësisht, të gjithë u bashkuan me shumë dëshirë dhe energji pozitive, duke bashkëpunuar krah për krah për të sjellë një aktivitet edhe më të madh — këtë herë për të nderuar heroin e Kosovës, Isa Boletinin, figurë e pavdekshme e rezistencës sonë kombëtare”, thuhet në njoftim.

Ky event përfaqëson unitetin, fuqinë dhe krenarinë e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, duke përkujtuar historinë dhe trashëgiminë që na mban gjithmonë të bashkuar.

“Ky event po mundësohet falë Sponsorëve që e mbështetën këtë kauzë me zemër të hapur, posaçërisht falë z. Ruki Ajdarit

Dhe falë bashkëpunimit të mrekullueshëm të Shoqatave shqiptare-amerikane, dhe falë gjithë pjesëmarrësve që morën pjesë në takimet javore që punuan me përkushtim për realizimin e këtij projekti”.

Eventi i Ditës së madhe do të mbahet më 30 nëntor me fillim prej orës 11:00 në: “Franklin D. Roosevelt Boardwalk & Beach – Staten Island”.

“Shqiptarët dhe amerikanët se bashku do të festojnë, të nderojnë dhe të bashkohen rreth emrit të madh Isa Boletini dhe trashëgimisë që ai la pas. Për komunitetin, për historinë, për të ardhmen”.