Maqedonci: S’është problem vetëm një pjesëtar i UÇK-së e një polic, Serbia ka qasje hegjemoniste ndaj Kosovës

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, derisa ka komentuar arrestimet e ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga autoritetet serbe, ka thënë se Serbia po vazhdon ta ketë qasjen hegjemoniste ndaj shtetit të Kosovës.

Ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë tha se problemi i Serbisë nuk është me një pjesëtar të UÇK-së ose një polic, por qasja e tij hegjemoniste ndaj Kosovës.

“Ne si Ministri e Mbrojtjes që përfaqësojmë trashëgiminë ushtarake të popullit tonë, në këtë rast të Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës jemi të angazhuar sa herë që kemi mundësi që ta bëjmë këtë me partnerët tanë për të ngritur çështjen e arrestimeve të pjesëtarëve të UÇK-së, por përtej arrestimeve të pjesëtarëve të UÇK-së Serbia vazhdon të zbatojë qasje hegjemoniste në raport me vetë ekzistencën e shtetit tonë. Nuk është problem vetëm një pjesëtar i UÇK-së, nuk është problem vetëm një polic, është problem që Serbia vazhdon të ketë qasje hegjemoniste në raport të vendit tonë, duke mos njohur asnjë arritje të vendit tonë dhe duke e trajtuar Kosovën si pjesë të saj. Problematike në thelb është te qasja hegjemoniste e Serbisë, kurse të tjerat pastaj janë vetëm pasoja”, tha Maqedonci.