Aktakuzë për krime lufte ndaj personit që vrau dhe dogji pesë familjarë në Istog

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj T.P., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, i pandehuri T.P., gjatë luftës në Kosovë, në fshatin Cerrcë dhe fshatrat përreth në komunën e Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, ka kryer vrasje, plaçkitje dhe shkatërrim të pasurisë të civilëve shqiptarë.

Në prill të vitit 1999, T.P. akuzohet se ka marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje.

Viktimat K.R., Z.R., R.R., I.R. dhe Sh.R., nën kërcënimin e armëve, janë detyruar të lënë shtëpinë e tyre dhe janë vendosur në një shtëpi tjetër, në të cilën më pas ishin vrarë.

Sipas aktakuzës, shtëpia bashkë me trupat e viktimave është djegur.

Gjithashtu, i pandehuri T.P., së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, akuzohet se ka vjedhur pasuri të luajtshme dhe më pas ka djegur shtëpitë në fshatrat e kësaj komune. /Zëri