Osmani: Ushtria jonë është pasardhëse e denjë dhe krenare e UÇK-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar Ditën e Forcës, duke thënë se është ditë krenarie për të gjithë shqiptarët dhe se ushtria është pasardhëse e denjë dhe krenare e UÇK-së, duke theksuar se bashkë do të ecët përpara për ta bërë ushtrinë e Kosovës edhe më të fortë.

“Gëzuar Dita e Forcës, Dita e Ushtrisë sonë. Sot është ditë krenarie për të gjithë popullin e Kosovës, është ditë krenarie, sepse ushtria jonë e sotme është pasardhëse e denjë dhe krenare e ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e djemve dhe vajzave që vunë themelet e ushtrisë sonë dhe këta djem e vajza që i shihni sot na bëjnë krenarë jo vetëm brenda vendit, por edhe kudo që ata shërbejnë, në akademi, nëpër vendet e ndryshme të botës ku studiojnë në shtete aleate, por po ashtu edhe në operacione për paqe e stabilitet në vende të ndryshme të botës ku ata shërbejnë krah për krah me aleatët”, tha Osmani.

Më tej ajo tha se ushtria e Kosovës çdo ditë po forcohet dhe është krah për krah shteteve aleate të saj në mbarë botën.

“Ushtria jonë çdo ditë po forcohet e po bëhet më operacionale, më ndërvepruese, më profesionale dhe natyrisht në radhët e ushtrisë sonë po shtohen djemtë dhe vajzat që duan t’i shërbejnë atdheut. Jemi jashtëzakonisht krenarë me punën e tyre, ata janë garanci më e fuqishme bashkë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të sigurisë së Kosovës, për sovranitetin tonë, për integritetin, mbrojtjen e shtetësisë dhe çdo qytetari të Republikës së Kosovës”, deklaroi Osmani.

Më tej ajo tha se do të punohet për ta bërë ushtrinë më të fortë, në mënyrë që të mbrohet shteti, i cili u bë me shumë sakrificë.

“Së bashku do të ecim përpara për ta bërë ushtrinë tonë edhe më të fortë çdo ditë në mbrojtje të shtetit tonë që është bërë me shumë sakrificë”, përfundoi ajo.