Shqipëria përgatitet për marsin vendimtar, dy lojtarë afrohen te Kombëtarja

Pas sigurimit të biletës për fazën play-off drejt Botërorit, Kombëtarja shqiptare pritet të rikthehet në fushë në fund të muajit mars.

“Kuqezinjtë”, fillimisht do të udhëtojnë drejt Polonisë për gjysmëfinalen, ndërsa në rast suksesi do të përballen me fituesin e çiftit Ukrainë – Suedi për një vend historik në Kupën e Botës.

Në këtë periudhë, trajneri Sylvinho po vlerëson mundësinë për të përfshirë lojtarë të rinj ose emra që kanë qenë më parë pjesë e ekipit, në mënyrë që të përzgjedhë grupin më të përshtatshëm për këto sfida të rëndësishme.

Dy futbollistë që aktualisht po tërheqin vëmendjen dhe konsiderohen për një ftesë janë Anis Mehmeti dhe Ernest Muçi.

Mehmeti po kalon një formë shumë të mirë në Championship me Bristol City, ku në 16 ndeshje ka realizuar 5 gola dhe ka dhuruar 6 asistime.

Pavarësisht paraqitjeve të qëndrueshme, ai nuk është grumbulluar ende nga Sylvinho.

Futbollisti 24-vjeçar mund të mbulojë disa role në mesfushë, duke përfshirë pozicionin e mesfushorit ofensiv, mesfushorit qendror, si edhe atë të lojtarit anësor apo sulmuesit të dytë.

Nga ana tjetër, Ernest Muçi është një tjetër alternativë që pritet të merret në konsideratë për ndeshjet e marsit.

Pas kalimit te Trabzonspor, ai ka fituar besimin që i mungonte te skuadra e mëparshme dhe është shndërruar në një lojtar më vendimtar në situata delikate.