Hekuran Kryeziu zëvendëson Afrim Tovërlanin te Kosova U-21

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se përzgjedhësi i deritanishëm i Kombëtares U-21, Afrim Tovërlani, është liruar nga detyra me kërkesë të tij dhe me marrëveshje të dyanshme.

Trajneri Tovërlani do të vazhdojë karrierën e tij si kryetrajner i FC Prishtina. FFK ka falënderuar Tovërlanin për kontributin e tij shumëvjeçar në drejtimin e Kombëtares U21, duke vlerësuar lart punën e tij profesionale, angazhimin dhe rolin në zhvillimin e futbollistëve të rinj dardanë.

Me largimin e tij, Federata ka vendosur që përgjegjësinë e përzgjedhësit të Kosovës U-21 ta marrë Hekuran Kryeziu, i cili deri më tani ka qenë ndihmëstrajner i ekipit.

Ish-mesfushori i njohur i Kombëtares së Kosovës dhe me karrierë të pasur në futbollin evropian, Kryeziu do të udhëheqë skuadrën së bashku me stafin aktual teknik, me synimin për të vazhduar rezultatet pozitive dhe për të ruajtur stabilitetin në grupmoshat U-21

FFK i ka uruar sukses të dy trajnerëve në sfidat e tyre të reja, duke theksuar se do të vazhdojë politikën e përfshirjes së ish-futbollistëve të Kombëtares në pozita kyçe brenda strukturave teknike.