Apeli vërteton vendimin e Themelores, Sylë Hoxha detyrohet t’ia paguajë Sevdije Morinës 2 mijë e 500 euro për shpifje dhe fyerje
Gjykata e Apelit ka marrë vendim, me të cilin ka refuzuar si të pabazuara ankesat e paditëses Sevdije Morina, ish-prokurore në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe të paditurit Sylë Hoxha, ish-ushtrues i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, tani avokat, ndërkaq ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin ishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadia e Morinës dhe ishte detyruar Hoxha t’ia paguajë shumën prej dy mijë e 500 euro për shpifje dhe fyerje.
Gjykata Themelore në Prishtinë përmes vendimit të 26 tetorit 2021 kishte aprovuar pjesërisht si të themeltë kërkesëpadinë e Sevdije Morinës dhe kishte vërtetuar se i padituri Sylë Hoxha në një konferencë për medie më 16 mars 2015 kishte fyer paditësen me deklaratën “Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, znj. Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989”, raporton “Betimi për Drejtësi".
Po ashtu, me këtë vendim, ishte detyruar i padituri Hoxha që paditëses në emër të kompensimit të dëmit jomaterial për dhimbjet e pësuara shpirtërore për shkak të cenimit të autoritetit dhe nderit, t’ia paguajë paditëses shumën prej 2 mijë e 500 euro, me kamatë ligjore prej 8%, e cila fillon të rrjedhë nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi e deri në përmbushjen definitive në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit.
Gjithashtu, Themelorja kishte refuzuar si të pathemeltë kërkesëpadinë e paditëses mbi shumën e gjykuar si në pikën dy të aktgjykimit, dhe atë në shumën prej 17 mijë e 500 euro. Gjithashtu, u refuzua si e pathemeltë kërkesëpadia e paditëses, me të cilën ka kërkuar që të detyrohet i padituri që publikisht t’i kërkojë falje paditëses për shpifjen dhe fyerjen e deklaruar, duke ia dëmtuar reputacionin dhe personalitetin Morinës.
Themelorja detyroi të paditurin që paditëses në emër të shpenzimeve të procedurës kontestimore, t’ia paguajë shumën në lartësi prej 370 eurove e 40 centësh.
Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, përfaqësuesi i paditëses në afat ligjor ka parashtruar ankesë, me pretendimin për shkelje të dispozitave të procedurës kontestimore, konstatimit të gabuar ose jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, me propozim që Apeli t’ia aprovojë ankesën dhe të ndryshohet aktgjykimi i ankimuar ose që lënda të kthehet në rigjykim.
Po ashtu, ankesë kishte parashtruar edhe përfaqësuesi i të paditurit, me pretendimin për vërtetim të gabuar të gjendjes faktike, zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe shkelje esenciale të dispozitave të procedurës kontestimore. Ka propozuar që të ndryshohet aktgjykimi i Themelores duke refuzuar kërkesëpadinë e paditëses dhe të detyrohet paditësja t’ia paguajë shpenzimet e procedurës kontestimore.
Gjykata e Apelit pas analizimit të aktgjykimit të shkallës së parë, gjeti se ankesat janë të pathemelta.
Sipas vendimit të marrë më 9 tetor 2025, Apeli vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i gjykatës së shkallës së parë është i drejtë dhe i ligjshëm, pasi që aktgjykimi i atakuar nuk është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore.
Po ashtu, Apeli thekson se e drejta materiale është zbatuar në mënyrë të drejtë dhe se aktgjykimi i ankimuar nuk është i përfshirë në shkelje tjera të dispozitave të procedurës kontestimore, për të cilat kanë pretenduar paditësja dhe i padituri në ankesë.
Vendimi i Themelores nuk është i përfshirë në të meta për shkak të të cilave nuk mund të ekzaminohet, konstaton Apeli. Dhe sipas kësaj Gjykate, dispozitivi i aktgjykimit është i qartë dhe në harmoni të plotë me arsyetimin e vendimit.
“Në arsyetim të aktgjykimit janë dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të gjitha faktet vendimtare të cilat janë marrë në vlerësim nga gjykata e shkallës së parë e sipas të cilave edhe është vendosë lidhur me themelësinë e kërkesëpadisë”, thuhet në vendim.
Andaj, shkalla e dytë thotë se në arsyetim të vendimit të shkallës së parë, janë dhënë arsye të duhura për mënyrën e vërtetimit të fakteve për provat e administruara dhe për vlerësimin e tyre sa i përket besueshmërisë dhe fuqisë provuese të tyre.
Gjithnjë sipas Apelit, gjendja faktike është vërtetuar plotësisht dhe në mënyrë të drejtë nga shkalla e parë lidhur me cenimin e integritetit dhe autoritetit moral, pasi që nga deklarata në konferencën e 16 marsit 2015, i padituri Hoxha ka fyer në drejtim të paditëses dhe deklarata e tij ka qenë nënçmuese për faktin se i padituri nuk ka arritur të provojë me asnjë argument deklaratën e tij.
“Gjykata e Apelit aprovon si të drejtë vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë se i padituri me asnjë provë të vetme nuk ka mundur të argumentojë të kundërtën e paditëses, në këtë rast Sevdije Morina, nuk i ka shkaktuar fyerje”, thuhet në vendim.
Sipas Apelit, nuk qëndrojnë as pretendimet për konstatim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, ngase të gjitha faktet e çështjes janë provuar. Pra, Themelorja në mënyrë të drejtë ka vlerësuar gjendjen faktike, për faktin se i padituri ka përdorur gjuhë fyese ndaj paditëses, duke tejkaluar edhe gjuhën e nevojshme për të dhënë opinionin në publik.
Edhe për shumën e vendosur për kompensim dëmi, Apeli thotë se Themelorja vendosi drejt dhe duke u bazuar në prova, duke marrë parasysh edhe shkeljen e të drejtës së personalitetit të paditëses, reputacionin e saj. Prandaj, këtë shumë, Gjykata e ka vlerësuar si satisfaksion për dëmtim të cilin i është shkaktuar paditëses nga i padituri.
Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 5 maj 2015, thuhet se i padituri, Sylë Hoxha më 16 mars 2015, në konferencën e organizuar për shtyp të mbajtur në sallën e takimeve në ish-ndërtesën e Bankës së Lubjanës në Prishtinë, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka fyer rëndë dhe ka shpifur të pavërteta kundër paditëses Sevdije Morina, si anëtare e Këshillit Prokurorial, prokurore dhe ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.
Siç thuhet në padi, i padituri në konferencën për medie, fyen paditësen dhe familjen e saj duke thënë “Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, Znj. Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989 dhe mbështetur nga Idain Ismajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999, dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 1997”.
Sipas padisë, më këtë i padituri Hoxha, ka fyer rëndë paditësen dhe familjen e saj, duke aluduar në familjarë të cilët nuk jetojnë për një çerek shekulli dhe duke u transmetuar fyerja e të paditurit në të gjitha mediet elektronike dhe të shkruara ka bërë që paditësja të ndihet keq në vendin e punës, në familje dhe në rrethin ku jeton, duke i shkaktuar dëm shumë të madh për pozitën që mban si prokurore.
Tutje në padi thuhet se njëkohësisht, në të njëjtën konferencë i padituri publikisht shpif kundër paditëses se kinse paditësja si ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale, me veprimet e saj ka dëmtuar qytetarët dhe Republikën e Kosovës, duke u takuar me Prokurorinë për Krime Lufte në Serbi dhe duke u dhënë atyre informacione në bazë të të cilave Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka lëshuar fletëarreste ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në bazë të padisë, thuhet se i padituri shpif me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses si prokurore dhe ushtruese e detyrës së Kryeprokurores duke e ditur se ajo informatë nuk është e vërtetë por është pikërisht e kundërta e saj.
Gjithnjë sipas padisë, thuhet se pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë me arsyetimin se i njëjti e ka ditur që deri më 30 maj 2015 kompetencat e Prokurorisë Speciale te Kosovës kanë qenë në duart e prokurorëve të EULEX-it, dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale nuk kanë pasur asnjë kompetencë dhe nuk kanë zhvilluar asnjëherë kurrfarë takimesh me Prokurorinë për Krime Luftë në Serbi.
Në padi thuhet se paditësja përkundër kësaj që ka fyer i padituri, e njëjta pas bartjes së kompetencave në Prokurorinë Speciale, i është drejtuar Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, me përgjigje në letër porosinë e Serbisë duke kërkuar nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Drejtësisë që të mos i procedojnë rastet e tilla asnjëherë kur kemi të bëjmë me shtetas të Republikës së Kosovës.
Sipas padisë, i padituri duke vepruar në kundërshtim me Ligjin kundër Shpifjes dhe Fyerjes, është përgjegjës për shpifje dhe fyerje ndaj paditëses, duke i shkaktuar dëm moral dhe dëmtim të reputacionit nga shpifja dhe fyerja, pasi të njëjtat janë bërë përmes mjeteve të informimit publik, dhe në takim publik.
Andaj, në padinë thuhet se paditësja kërkoi nga gjykata që të nxjerr aktgjykim me anë të së cilit detyrohet i padituri Sylë Hoxha që paditëses Sevdije Morina t’ia paguajë shumën prej 20 mijë eurove, për dëmin moral, cenimin e reputacionit dhe personalitetit të saj, me kamatë ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën përfundimtare.