Fillon shqiptimi i gjobave përmes kamerave në Prishtinë, kujdes shoferë!
Drejtoria e Policisë e kryeqytetit ka filluar shqiptimin e gjobave ndaj kundërvajtësve në trafik, përmes monitorimit të kamerave të sigurisë që janë vendosur në rrugët e Prishtinës.
Siç ka njoftuar Policia, ky sistem i avancuar është funksionalizuar me qëllim të rritjes së sigurisë publike në rrugët e kryeqytetit, po ashtu edhe me qëllim të zbulimit të rasteve të ndryshme.
“Me anë të këtyre kamerave do të mundësohet identifikimi në kohë reale i kundërvajtjeve, siç janë tejkalimi i shpejtësisë, mosrespektimi i semaforëve, ndalimi në vende të palejuara dhe shkelje të tjera sipas Ligjit për Rregullat e Trafikut Rrugor. Pas identifikimit gjobat do të dërgohen në adresat postare të kundërvajtësve”.
“Policia e Kosovës thekson se përdorimi i kamerave është një hap i rëndësishëm drejt modernizimit të menaxhimit të trafikut, duke synuar rritjen e sigurisë së qytetarëve në komunikacion dhe apelon te të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion, që të respektojnë rregullat e trafikut, ngase qëllimi kryesor i këtij sistemi është parandalimi, siguria publike dhe ruajtja e jetës së qytetarëve”, thuhet në njoftim. /Zëri