Dëmi në Ibër-Lepenc llogaritet të jetë deri në 4000 euro
Sot është raportuar se persona të panjohur me mjete të forta kanë dëmtuar një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Shefi i Operativës Rajonale për Mitrovicën e Veriut, Petrit Fejza, ka konfirmuar për “Zërin” se dëmi në kanalin e Ibër-Lepencit llogaritet të jetë 3000-4000 euro sipas punëkryesit.
Më datë 25.11.2025 rreth orës 12:15 ankuesi, punëkryesi ne kanalin e Ibër-Lepencit ka raportuar se cerada-najlloni, i cili ka qenë i shtrirë në Bajpas, i është dëmtuar. Vlera e dëmit sipas ankuesit është rreth 3000-4000 euro. Në vend të ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe kanë kryer vendshikimin. Në lidhje me rastin është njoftuar edhe prokurori i Shtetit dhe rasti është hapur “Asgjësim ose dëmtim i pasurisë”, tha Fejza.
Ai shtoi se rasti është nën hetime. /Zëri