Murat Mehmeti, dëshmori i harruar i demonstratave të vitit 1968

Demonstratat e vitit 1968 shënuan një kthesë të rëndësishme politike për shqiptarët në Kosovë.

Ato përbënin shpërthimin e parë të artikuluar të kërkesave për barazi, për përdorimin e flamurit kombëtar dhe për themelimin e Universitetit të Prishtinës.

Ndër mijëra pjesëmarrës, një emër mbetet ende i pashlyeshëm: Murat Mehmeti, 17-vjeçari nga Barileva, dëshmori i harruar dhe i vetmi i atyre demonstratave.

Protestat nisën më 6 tetor në Prizren dhe kulmuan në Prishtinë më 27 nëntor, kur studentë, nxënës, profesorë dhe intelektualë dolën në rrugë me parullat “Republikë”, “Vetëvendosje”, “Kushtetutë”, “Flamur” dhe “Universitet”.

Mes tyre ishte edhe Murati, nxënës i Shkollës së Mesme Teknike, i edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë nga familja e tij, e njohur për angazhim kombëtar.

Ilaz Selmani, kushëri dhe shok i dhomës së Muratit, kujton se të rinjtë nuk dinin kush i organizonte demonstratat, por e ndjenin se “diçka e madhe” po ndodhte.

Hasan Dërmaku, atëkohë student dhe tash 81 vjeç, dëshmon se protesta filloi më herët se ishte planifikuar, pikërisht nga ndërhyrja e policisë.

“Lexuam kërkesat para Teatrit Kombëtar dhe u nisëm drejt qendrës. Parullat ishin të qarta: Republikë, Universitet, të drejta kombëtare dhe lirimi I të burgosurve”.

Murat Mehmeti u dallua për guximin e tij. Ai mbante flamurin kombëtar dhe nuk e lejoi të rrëzohej gjatë përleshjeve. Sipas dëshmitarëve, Murati u kacafyt me një polic dhe e lëndoi atë rëndë, moment që shumëkush beson se e vuri në shënjestër.

“Ka qenë djalë shumë aktiv dhe temperament”, thotë Ilazi për Radio Kosovën.

“E ndoqën dhe e goditën pikërisht për këtë”.

Rreth orës 19:00, afër Sekretariatit të Punëve të Brendshme, një plumb e goditi Muratin për vdekje. Skënder Muqolli u plagos rëndë pranë tij. Hasan Dërmaku, njëri nga protestuesit e parë që iu afrua, e futi Muratin në makinë për ta çuar në spital.

“Duart i kisha të mbuluara me gjakun e tij”, kujton ai i emocionuar. Por, Murati nuk arriti të mbijetonte.

Vrasja u hesht menjëherë nga pushteti. Kur Ilazi dhe babai i Muratit, Qazimi, arritën në spital, e morën lajmin e rëndë pa asnjë shpjegim zyrtar. Regjimi urdhëroi që trupi i 17-vjeçarit të varrosej brenda natës, në fshehtësi, dhe në varrim u lejuan vetëm 17 familjarë. Por, në mëngjes, qindra kurora lulesh u shfaqën mbi varrin e tij, vendosur nga qytetarët që nuk pranuan të heshtnin.

Edhe pse vetëm 17 vjeç, Murati ra për të drejtat e popullit të tij: për barazi, për gjuhën shqipe, për flamurin dhe për universitetin. Dy vite pas vrasjes së tij u themelua Universiteti i Prishtinës një amanet që ai e mbrojti deri në frymën e fundit. Shumë veprimtarë e shohin sot figurën e tij si një gur themel të Universitetit.