Komuniteti artistik, i tronditur nga vdekja e hershme e këngëtarit Shpat Kasapi
Vdekja e papritur e këngëtarit Shpat Kasapi la të tronditur shumë artistë të këtij komuniteti.
Shumë prej tyre nuk mund ta besonin këtë lajm, shkruan Zeri.info.
Për vdekjen e tij reagoi edhe këngëtari Ermal Fejzullahu, duke thënë se Kasapi ishte shoku i tij i fëmijërisë, me të cilin thotë se e nisi karrierën.
“Nuk po muj me besu, sot shkove ti miku im i fëmijërisë. E filluam karrierën bashkë e shumë kujtime të bukura patëm me ty të cilat do t’i ruaj tërë jetën. Na theve zemrat Shpat, pusho i qetë vëlla”, shkroi Fejzullahu.
Lajmi ka qenë i rëndë edhe për këngëtaren Adelina Thaçi, e cila tha se Kasapi ka lënë gjurmë me zërin e muzikën e tij.
“Ngushëllime më të sinqerta familjes, miqve dhe të gjithë atyre që e deshën dhe vlerësuan. U prehtë në paqe”, shkroi Thaçi.
“Nuk po mundem me paramendu e as me besu. Mu ka ftohë krejt trupi”, kështu u shpreh këngëtarja Monika Salihu, pas marrjes së lajmit se Shpat Kasapi ka vdekur.
Ajo u shprehu ngushëllime familjes dhe gjithë shqiptarëve për këtë humbje.
“Eu Shpat bre… Allahu të mëshiroftë, vëlla”, kështu reagoi këngëtari Gold AG pas këtij lajmi tragjik.
Edhe këngëtari Blerim Muharremi (Blero) e ka përkujtuar Kasapin, duke e quajtur si një njeri me shpirt të bardh e me zemër të madhe.
“Sot zemra më është thyer në një mënyrë që s’e kam njohur kurrë më parë. Ikja jote, Shpat, na ka lënë të gjithëve pa fjalë, pa frymë, pa forcë. Miku im, kolegu im, njeriu me shpirt të bardhë dhe zemër të madhe… do të të mbaj mend gjithmonë me buzëqeshjen që e ndriçonte çdo dhomë ku hyje. Është e pabesueshme të flas për ty në të kaluarën. Ti ishe dritë, mirësi, energji e pastër. Çdo moment me ty ishte një bekim, çdo bisedë një paqe, çdo kujtim një dhuratë”, shkroi Blero.
Edhe këngëtarja e njohur, Big Mama ka shprehur dhimbjen e saj të thellë pas lajmit për vdekjen e artistit Kasapi.
Ajo ka shkruar “O Shpat bre, nuk dua ta besoj. U zgjova me lajmin më të trishtë dhe ma këpute shpirtin.Fëmijëria jonë dhe kujtimet tona sot dhembin më shumë. Do të më mungosh përgjithmonë vëlla. Prehu në paqe”, shkroi ajo.
E i tronditur nga ky lajm ka mbetur edhe këngëtari Labinot Tahiri.
“Ngushëllime nga zemra për familjen Kasapi dhe për gjithë publikun shqiptar për ndarjen nga nga jeta të një djali të sinqertë dhe artist të skenës, Shpat Kasapi.U prehsh në paqe vëlla”, shkroi Tahiri.
Kujtojmë se Shpat Kasapi karrierën e nisi në moshë shumë të hershme dhe disa nga këngët e tij më të njohura janë “Valle Kosovare”, “A më do?”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”. /Zëri