Ish-ministri i Financave: Rritja e shtesave për fëmijë, e paligjshme dhe me qëllim elektoral

Ashtu siç kishte vendosur në fund të tetorit para balotazhit të 9 nëntorit, Qeveria në detyrë ekzekutoi shtesat për fëmijë me rritje 50 për qind.

“Shtesat për mbi 400 mijë fëmijë tashmë janë ekzekutuar me rritjen prej 50% dhe sot gjatë ditës të gjitha familjet përfituese do t’i kenë në llogari”, ka thënë Murati.

Rritja e shtesave për fëmijë u vendos në një kohë zgjedhjesh lokale, derisa edhe ekzekutimi i tyre u bë gati një muaj para zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Ky vendim, sipas ish-ministrit të Financave Haki Shatri, ndonëse i nevojshëm, është tentim për blerje të votës.

“Rritja ka qenë e nevojshme dhe është e mirë, por institucioni nuk vepron ad-hoc vetëm për interesa të një grupi. Është e vështirë për disa njerëz që prej rruge kanë hy ne pushtet dhe mendojnë se ligjet e rrugës vlejnë. Edhe rritjet edhe ndryshimet ne paga të cilat duhet te rregullohen me buxhet me ligjin për buxhetin dhe te tjerat…por jo me marr vendime vetëm ne momente ku ato kane efekt ligjore dhe kjo është ajo qe po i ndodh Kosovës kohen e fundit. Aty ku po i konvenon atu ku s’po i konvenon s’po gjen forme me be zgjidhje. Siç është çështja komunës dhe rtk është shqetësuese…këtu ata kanë llogaritë tek nr. i personave që të kenë ndikim në zgjedhje. Ata qe kanë nevojë për para në këtë kohë kritike ata ndikohen”, tha Shatri për RTV21.

Juristi Hasan Shala ndërkaq thotë se rritja e shtesave për fëmijë, përveç qëllimit elektoral, bie ndesh edhe me Ligjin për Qeverinë.

“Rritja e shtesave ka qene mase e domosdoshme por është problematike çështja e mënyrës dhe koba kur janë rrit shtesat. Prandaj mënyra se ka legjitimitetin e plotë ngase neni 26 i ligjit për qeverinë tregon qartë kompetencat e qeverisë. Bie ndesh me Ligjin për Qeverinë”, tha Shala.

Më 31 tetor Qeveria në detyrë mori vendim për rritje të shtesave për fëmijë dhe të pensioneve nga nëntori, krahas vendimit për rritje te pagës minimale nga janari dhe jo vetëm.

Në atë ditë kryeministri në detyrë Kurti kishte thënë se vendimet e tilla më mirë të merren nga një qeveri në detyrë se sa të pritej një qeveri me mandat të plotë e cila, siç kishte thënë, nuk dihet kur mund të formohet.