Hamza: Ma jepni mandatin për ta rikthyer stabilitetin në Kosovë [video]

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka publikuar një videoadresim drejtuar qytetarëve, ku thekson rëndësinë e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe kërkon besimin për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit dhe zhvillimit.

“Me 28 dhjetor, vota juaj do ta përcaktojë drejtimin e Kosovës. Një përgjegjësi e rëndësishme, por një mundësi e madhe për ndryshim,” ka thënë Hamza në adresimin e tij, duke paraqitur dy rrugë të mundshme për vendin. “A do ta kemi një qeveri stabile, një qeveri që na bashkon të gjithëve dhe një Kryeministër që u shërben me të vërtetë qytetarëve? Apo do të vazhdojmë me të njëjtin avaz të krizave, përçarjeve e papërgjegjësisë?!”

Hamza kërkon mandatin qytetar për të udhëhequr Kosovën.

“Unë e zgjedh të parën, prandaj sot po e kërkoj besimin tuaj. Ma jepni besimin që unë ta rikthej stabilitetin në Kosovë.”

Në videomesazh, ai premton formimin e një kabineti profesional dhe të përgjegjshëm.

“Më besoni që unë ta formoj një qeveri me njerëz të aftë dhe të ndershëm. Një qeveri që i mban premtimet dhe që i vendos qytetarët në radhë të parë. Më besoni që unë të udhëheq me transparencë, me përgjegjësi dhe me rezultate, për t’i sjellë Kosovës zhvillim dhe mirëqenie”, ka thënë ai.

Kreu i PDK-së, përshkruan gjendjen aktuale në vend si të rënduar.

“Sot, Kosova është e rënduar nga krizat. Jetojmë nën një mjegull pasigurie dhe jostabiliteti. Ndërkohë që shohim çdo ditë se si shpresa tek të rinjtë tanë është zbehur”, shtoi ai.

Bedri Hamza, iu drejtua qytetarëve me mesazhin se ndryshimi është i mundur.

“Sot, unë dua t’ju them se nuk ka pse të jetë më kështu. Me 28 dhjetor, ju kërkoj një shans për ta hequr këtë mjegull mbi vendin dhe njerëzit tanë”.

“Sepse Kosova mundet ma mirë. Sepse ju meritoni shumë ma mire. Më jepni mundësinë që të sjell në shërbimin publik njerëzit ma të mirë dhe ma të talentuar që ka Kosova.Ma jepni mundësinë t’i ndryshoj zakonet e viteve të fundit të cilat po e mbajnë peng vendin tone”, thotë Kryetari i PDK-së.

Ai flet për një perspektivë të re për vendin. “Ka një Kosovë ma të mirë përpara nesh. Një Kosovë që është e mundur dhe e arritshme. Një Kosovë stabile. Një Kosovë prosperuese. Një Kosovë të mundësive për të gjithë. Me 28 dhjetor, e hapim kapitullin e ri. Le ta zgjedhim unitetin. Le ta zgjedhim stabilitetin. Le ta zgjedhim mirëqenien për Kosovën”, tha lideri i PDK-së.