Hansi Flick: Ndeshja ndaj Chelseat me rëndësi të madhe

Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka folur përpara mediave në prag të ndeshjes së sotme të Champions League kundër Chelsea-s, një përballje vendimtare për qëndrimin në krye të grupit dhe shmangien e fazës play-off.

Tekniku gjerman theksoi se është i vetëdijshëm për peshën e kësaj sfide dhe kërkoi përqendrim maksimal nga ekipi i tij.

“Chelsea është një nga skuadrat më konkurruese aktualisht. Kanë shumë lojtarë të rinj me cilësi dhe një trajner të shkëlqyer si Maresca. Është kënaqësi të shohësh mënyrën se si luajnë dhe progresin që po bëjnë,” u shpreh Flick. Ai pranoi se ndeshja nuk pritet të jetë aspak e thjeshtë: “Do të përballemi me një test të vështirë. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por kemi besim te vetja dhe do të luftojmë deri në fund.”

Flick foli edhe për rikthimin e Robert Lewandowskit, i cili pas dëmtimit është duke shfaqur formë të lartë dhe po gjen shpesh rrugën e rrjetës.

“Që nga pushimi i tetorit e shoh më të freskët dhe më efektiv. Ai filloi të kontribuojë menjëherë dhe e tregoi në fushë. Për momentin, detyra e tij është të shënojë dhe këtë po e bën shumë mirë. Të kesh një lojtar të tillë i jep forcë gjithë ekipit,” deklaroi trajneri.

Duke folur për rikuperimin e Raphinha-s, Flick shtoi: “Po ecim me kujdes, hap pas hapi. Më e rëndësishmja është që lojtari të rikthehet i gatshëm dhe pa rrezik dëmtimi.”