KGJK-ja propozon rritje të pikëve dhe rregulla të reja për vlerësimin e punës së gjyqtarëve

Kryetarja e Komisionit Normativ në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Drita Rexhaj, ka prezantuar të martën draft-Rregulloren nr. 13/2025 për normën e punës së gjyqtarëve, në mbledhjen e 356-të të KGJK-së, në të cilën morën pjesë nëntë anëtarë pas shtyrjes fillestare për mungesë kuorumi.

Rexhaj rikujtoi se arsyetimi për miratimin e rregullores ishte bërë që nga viti 2023, ndërsa theksoi veçanërisht nenin 26, që parasheh monitorimin e zbatimit të saj dhe identifikimin e vështirësive përmes komisioneve të KGJK-së.

Ajo bëri të ditur se KGJK ka autorizuar një grup punues, me gjyqtarë nga të gjitha departamentet dhe zyrën e statistikave, për të përgatitur një analizë të detajuar mbi normën e punës së gjyqtarëve në të gjitha gjykatat e vendit.

“Prandaj, si rezultat i kësaj analize është konsideru se në disa departamente është e nevojshme me e rritë numrin e pikëve. Ndërsa, në disa departamente është e nevojshme lehtësisht me e ul numrin e pikëve në mënyrë që me siguru që të gjithë gjyqtarët brenda orarit dhe kushteve të punës të kenë mundësi me arritë normën e punës orientuese. Të gjitha kontestet e njëjta gjyqësore nga paragrafi 1. 4 që bien në kategorinë e lëndëve të Departamentit të Përgjithshëm- Civil në shkallë të parë dhe të dytë janë barazuar me kontestet e njëjta që bien në domenin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme në shkallë të parë dhe të dytë. Janë poentu lëndët që përfundojnë me parashkrim absolut dhe kanë marrë numrin e pikëve varësisht prej departamenteve përkatëse ku përfshihen”, tha Rexhaj.

Rexhaj bëri të ditur se dispozitat për parashkrimin relativ mbeten të pandryshuara dhe se këto lëndë nuk poentohen.

Ajo theksoi se për lëndët e Departamentit për të Mitur në shkallë të parë, numri i pikëve është rritur nga 5.5 në 9.5.

Sipas saj, për të motivuar gjyqtarët dhe për të vlerësuar punën shtesë, është propozuar që në Divizionin Civil të Gjykatës së Apelit, çdo rast me shqyrtim gjyqësor të marrë edhe dy pikë shtesë mbi poentimin bazë.

“Kur ndërpritet procedura, lënda poentohet me dy pikë. Por, në rast se kur vazhdohet procedura e ndërprerë dhe në rastin në procedurë penale kur kemi kundërshtim të urdhrit ndëshkimor, në vendimin meritor në lëndën përkatëse minusohen pikët të cilat janë vlerësu paraprakisht”, tha Rexhaj.

Tutje, me 10 votat për u miratua Rregullorja dhe Udhëzuesi për normën për gjyqtarë. /EO