Besim Kelmendi padit Këshillin Prokurorial, kërkon anulimin e vendimit për shkarkim nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit

 Besim Kelmendi i cili në mbledhjen e 20 nëntorit 2025 të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) u shkarkua nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka ushtruar padi ndaj KPK-së, duke kërkuar anulimin e vendimit të Këshillit.

Po ashtu, Kelmendi ka propozuar edhe caktimin e masës së përkohshme të sigurisë- pezullimin e zbatimit vendimit të KPK-së dhe të vazhdojë ushtrimin e pozitës së U.D Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Shkarkimi i Kelmendit nga kjo pozitë, u bë me votat e pesë anëtarëve të zgjedhur të KPK-së të cilët ishin të pranishëm në takimin e 20 nëntorit, pasi fillimisht takimi u mbyll në mungesë kuorumi me largimin e Kelmendit dhe katër anëtarëve tjerë nga kjo mbledhje.

Sipas padisë për inicimin e konfliktit administrativ me propozimin për caktim të masës së përkohshme, përkundër se vendimi i të paditurës KPK është për shkarkimin e paditësit, meqë nuk është ndjekur procedurë disiplinore dhe vendimi si i tillë nuk paraqet Vendim për masë disiplinore për paditësin, paditësi nuk mund të ushtrojë të drejtën e mjetit juridik të ankesës në Gjykatën Supreme. siç e garanton neni 19 paragrafi 4 i Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Në padinë e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se KPK-ja në vendimin për shkarkimin e paditësit nuk e ka trajtuar rastin në kuptimin disiplinor, por nga vetëm 5 prej 10 anëtarëve e zgjedhur të KPK-së është marrë si kinse një nga vendimet e zakonshme të KPK-së, që përbëjnë akt administrativ.

Andaj, duke qenë se KPK është institucion i pavarur siç e garanton Kushtetuta dhe nuk ka organ epror për të shqyrtuar ankesën ndaj vendimeve të tij, paditësi paraqiti drejtpërdrejt këtë padi në këtë Gjykatë.

Në padi theksohet se më 20 nëntor u thirr takimi i KPK-së, i cili për pikë të rendit të ditës kishte: Raportin e komisionit zgjedhor nga radhët e prokurorive themelore nga komuniteti joshumicë apo gjinia e nënpërfaqësuar i datës 3 nëntor 2025. Por, para miratimit të rendit të ditës, zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli propozoi që në rendin e ditës të futet edhe shkarkimi i paditësit nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Pas këtij propozimi, pesë anëtarët e KPK-së – paditësi si anëtarët e KPK-së, Veton Shabani, Arian Gashi, Visar Krasniqi dhe Dardan Vuniqi – fillimisht e kundërshtuan këtë propozim, duke e konsideruar arbitrar dhe të kundërligjshëm, e më pas e lëshuan menjëherë takimin e Këshillit. E që, në padi thuhet se me largimin e tyre, kuorumi bie automatikisht në më pak se minimumin e kërkuar me ligj.

Më tej, thuhet se kryesuesi Ardian Hajdaraj, duke vepruar sipas detyrimit të tij ligjor, e mbylli mbledhjen për shkak të mungesës së kuorumit, e cila juridikisht prodhon efekt përfundimtar, duke shënuar fundin e çdo kompetence për vendimmarrje deri në thirrjen e një mbledhjeje të re.

“Megjithatë, kryesuesi i KPK-së, pasi e mbylli zyrtarisht mbledhjen duke konstatuar mungesën e kuorumit, në të njëjtën ditë caktoi një takim të ri pas vetëm disa minutave. Në takimin e ri të pesë anëtarëve të Këshillit Prokurorial, morën pjesë vetëm: Jetish Maloku, Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci, Milot Krasniqi dhe kryesuesi Ardian Hajdaraj, ndërsa nuk ishin të njoftuar apo të ftuar fare anëtarët tjerë të Këshillit: Arian Gashi, Veton Shabani, Dardan Vuniqi dhe Visar Krasniqi, si dhe tani paditësi Besim Kelmendi. Në këtë takim të dytë vetëm nga 5 anëtarë të KPK-së është marr vendimi KPK.nr.2062/2025 i datës 20.11.2025, me të cilin paditësi është shkarkuar nga pozita e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit”, thuhet në padi.

Sipas padisë, rënia e kuorumit e bën juridikisht të pamundur çdo vendimmarrje dhe se vendimmarrja pas mbylljes së mbledhjes, pa thirrje të re, është akt i nxjerrë në kundërshtim me procedurën thelbësore dhe, si e tillë, përbën shkak të pavlefshmërisë absolute.

Aty potencohet se neni 37/A i Ligjit nr. 08/L-249 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i titulluar si dispozitë kalimtare, përcakton qartë dhe në mënyrë imperative se: “Derisa të zbatohet përbërja e përhershme e Këshillit prej shtatë (7) anëtarësh, kuorumi i Këshillit formohet me gjysmën e anëtarëve të zgjedhur të Këshillit plus një (1) anëtar, duke përfshirë edhe rastet disiplinore, dhe vendimet merren me shumicë të thjeshtë votash të anëtarëve të pranishëm.”

“KPK aktualisht sipas një analize të vet KPK-së, ka njëmbëdhjetë (11) anëtarë të zgjedhur. Duke u bazuar në formulën eksplicite të nenit 37/A, kuorumi i domosdoshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e çdo vendimi është: gjysma e anëtarëve të zgjedhur (11 : 2 ≈ 5,5) e rrumbullakosur në pesë (5), plus një (1) anëtar – pra gjithsej gjashtë (6) anëtarë”, thuhet në padi.

Por, në padi thuhet se në momentin e marrjes së vendimit të kontestuar, në sallë kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KPK-së, gjë që e bën të pamundur formimin e kuorumit të nevojshëm.

“Për pasojë, KPK nuk ka pasur organ kolegjial të konstituuar në atë çast dhe, si rrjedhim, nuk ka pasur as kompetencë funksionale për të marrë vendime”, thuhet në vendim.

Andaj, sipas padisë, çdo vendim i marrë në këto rrethana është absolutisht i pavlefshëm.

Gjithnjë sipas padisë, është e pavërtetë ajo që theksohet në vendimin e KPK-së se “… pas një pauze të shkurtër vazhdoi takimi”, ngase kryesuesi Ardian Hajdaraj takimin e mbylli në mungesë kuorumi.

Për këtë arsye, paditësi pretendon se vendimi për shkarkimin e tij, marrë nga vetëm pesë anëtarë, është: i marrë nga organi jo-kompetent, në mungesë të kuorumit të detyrueshëm, në një takim të ri pas mbylljes së takimit të parë dhe pa respektuar normën imperative të nenit 37/A. Kështu që, paraqet akt administrativ të pavlefshëm.

Sipas padisë, KPK e ka trajtuar shkarkimin e paditësit sikur të ishte miratimi i një plani pune apo vendim rutinë administrativ, pa e vënë në lëvizje mekanizmin e komisionit disiplinor, pa hetim, pa mbledhje provash, pa dhënien e mundësisë së dëgjimit të subjektit, dhe pa respektuar pragun e kërkuar të 2/3 të votave.

Gjithashtu, në padi thuhet se KPK-ja pretendon se paditësi paska “shprehur qëndrim të njëanshëm publik”, pa theksuar së si u shpreh ky qëndrim, dhe këtë e konsideron si “denigrim të pozitës”.

“Ligji nuk e njeh këtë formulim si shkak për shkarkim. Nuk ekziston asnjë dispozitë ligjore që e bën “deklarimin publik” arsye për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit. Aq më tepër pa asnjë procedurë ligjore”, thuhet në padi.

Në padi po ashtu përmendet se lidhur me këtë vendim të Këshillit, Bashkimi Evropian ka konstatuar se vendimi: shpërfill sundimin e ligjit, dëmton besimin publik dhe minon përparimin drejt BE-së.

Këshilli Prokurorial, sipas paditësit, veproi pa kuorum; veproi pas mbylljes së mbledhjes, pa një thirrje të re, pa procesverbal të vlefshëm, dhe duke e tejkaluar në mënyrë të papranueshme kompetencën e vet ligjore.

“Praktika e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës konfirmon në mënyrë të përsëritur se: aktet e nxjerra nga organ pa kompetencë materiale ose funksionale nuk krijojnë efekt juridik (p.sh. KI 99/14); kuorumi është kusht themelor për vlefshmërinë e vendimeve të organeve kolegjiale (p.sh. KI 196/21); ndërhyrjet arbitrare në mandatin dhe statusin e institucioneve të pavarura janë antikushtetuese (p.sh. KO 73/16); dhe ndërprerja e mandatit pa procedurë të rregullt shkel sigurinë juridike (p.sh. KI 64/18)”, theksohet në padi.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e tij, të anulohet vendimi i Këshillit Prokurorial dhe i njëjti të kthehet në pozitën e ushtruesit të detyrës zyrtare. Dhe që i padituri t’ia paguajë shpenzimet e procedurës.

Me anë të padisë, paditësi ka paraqitur edhe kërkesë për vendosjen e masës së përkohshme të sigurisë me qëllim të ruajtjes së gjendjes juridike ekzistuese dhe parandalimin e një dëmi të rëndë dhe të pakthyeshëm deri në marrjen e një vendimi meritor, si dhe sigurimi që procesi gjyqësor të zhvillohet me kuptim e efekt.

Sipas padisë, vendimi i KPK-së ka krijua dëm të rëndë real, të menjëhershëm dhe të drejtpërdrejt dhe të pakthyeshëm, si pasojë e veprimit të kundërligjshëm, sepse paditësi mund të humbasë pozitën e tij si Ushtrues Detyre i Kryeprokurorit të Shtetit.

Aty thuhet se pozita e Kryeprokurorit të Shtetit është funksioni më i lartë brenda sistemit prokurorial dhe çdo ndërhyrje e paligjshme në ushtrimin e saj prodhon pasoja të thella profesionale dhe institucionale. Thuhet se humbja e kësaj pozite qoftë edhe përkohësisht, krijon pasoja reputacionale dhe profesionale që nuk mund të zhbëhen me një vendim të mëvonshëm gjyqësor

Në padi theksohet se shkarkimi i paligjshëm prek drejtpërdrejt autoritetin, integritetin dhe figurën publike të paditësit, duke shkaktuar një dëm që nuk mund të pakthyeshëm nëse masa nuk vendoset menjëherë.

“Çdo ndryshim në krye të institucionit, i bazuar në një akt të pavlefshëm, prodhon efekte zinxhirore të pakthyeshme si brenda institucionit, ashtu edhe në perceptimin e publikut dhe në stabilitetin e sistemit prokurorial”, thuhet në padi.

Më tej thuhet se vendosja e masës së përkohshme të sigurisë jo vetëm që nuk e cenon interesin publik, por e mbron drejtpërdrejt atë.

Andaj, Kelmendi ka kërkuar të aprovohet propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë dhe të pezullohet zbatimi i vendimit të KPK-së dhe paditësi të vazhdojë të ushtrojë detyrën e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit deri në vendosjen meritore në këtë çështje administrative.