Dy të dyshuar u dorëzuan pas 12 orësh të ngujuar në banesë - policia u gjeti armë, granata dhe flamur të ISIS-it
Policia ka publikuar pamje nga aksioni 12 orësh, që u përball me rezistencë të dy personave të dyshuar për kryerjen e veprimeve terroriste.
Blutë kanë reaguar rreth operacionit “Oroshi”, që u mbyll me vetëdorëzimin e Julian Cumrraku dhe Arben Uka.
Pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave me të afërmit e tyre, ata vendosën të dorëzohen.
Në banesë iu gjetën 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, përfshirë flamurin e ISIS.
“Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.
Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë.
Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë.
Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër.
Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.
Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.
Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.
J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje””, thuhet në reagimin e plotë të policisë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”. /TCH