Çitaku kritikon Kurtin për vizitën në Vatikan: Anashkalohet ambasadori, çfarë katrahure

Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka kritikuar ashpër organizimin e një ngjarjeje në Vatikan, ku mori pjesë kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Çitaku ka theksuar se në këtë ngjarje është anashkaluar dhe përbuzur ambasadori i Kosovës në Selinë e Shenjtë.

Sipas Çitakut, ky anashkalim i misionit diplomatik është “në kundërshtim me çdo praktikë shtetërore dhe protokolare”.

Ajo gjithashtu ka vënë në dukje përkrahjen që, sipas saj, kryeministri Albin Kurti i jep disa figurave të caktuara.

“Martin Berishaj, me afera korruptive multimilionëshe, mbetet i përkdheluri i Kurtit. Ai, jo vetëm që vazhdon të jetë ambasador fuqiplotë, por shihet përkrah liderit suprem kudo”, shkroi Çitaku.

Çitaku thekson se, sipas perceptimit të saj, figura të tjera si Rozeta dhe Nagipi gjithashtu “vazhdojnë të kenë mbrojtjen e pakushtëzuar të Kurtit”, duke lënë pyetjen retorike: “A thua pse?”.