Dyshohet se u sulmua me sëpatë nga bashkëshorti i saj, kjo është gjendja e gruas nga Lipjani

Gruaja që dyshohet se u sulmua me sëpatë sot nga burri i saj në Gadime të Ulët të Lipjanit është në gjendje stabile.

Lajmin e ka konfirmuar drejtori i Emergjencës së QKUK-së, Naser Syla.

“Gjendja e saj është stabile, janë duke u kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjekësore”, tha shkurt Syla për “Zërin”.

Ndërkaq, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, tha se incidenti po hetohet si “Vrasje në tentativë”.

Sipas Shalës, i dyshuari ndodhet ende në arrati.

“Për momentin, i dyshuari ndodhet ende në arrati, ndërsa prokurori i Shtetit në koordinim me njësitet e tjera relevante po i ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tij”, ka deklaruar Shala për Zeri.info.

Ajo ka shtuar se prokurori i Shtetit, në koordinim me njësitet e tjera relevante, po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme për arrestimin e tij.

Edhe Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, ka bërë të ditur se janë në kërkim të të dyshuarit.

“Sot në stacionin policor të Lipjanit është iniciuar një rast ‘Vrasje në tentativë’. Hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë kanë nisur veprimet hetimore e procedurale, ndërkohë që personi i lënduar (femër) është dërguar për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin është identifikuar personi i dyshuar, i cili është në kërkim nga ana e policisë”, ka treguar Ahmeti. /Zëri