Punëtorët e autobusëve mblidhen te Komuna e Prishtinës, kërkojnë pagat e tyre
Transportuesit privatë dhe atë të ndërmarrjes së “Trafikut Urban” janë duke u mbledhur para objektit të Komunës së Prishtinës.
Ata po protestojnë pasi kanë pezulluar të gjitha linjat, meqenëse nuk kanë marrë pagat e tyre.
Në një njoftim të dielën Ndërmarrja theksoi se kriza nuk lidhet me gjendjen e saj financiare të brendshme, por me vonesat e Komunës.
“Dëshirojmë të sqarojmë se Ndërmarrja ka bilanc pozitiv dhe stabilitet financiar; megjithatë, vonesat e Komunës së Prishtinës në shlyerjen e obligimeve ndaj nesh kanë krijuar këtë situatë të paqëndrueshme. Edhe një herë, u kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit të transportit publik, i cili do të mbetet i pezulluar deri në lëshimin e mjeteve”, thuhej në njoftim.
Për çështjen e trafikut një ditë më parë foli edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama.
“Sapo e përfundova takimin me Ndërmarrjen e Transportit Publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.