Bllokimi i buxhetit të Prishtinës, qytetarët mbesin pa transport publik
Nga sot qytetarët e Prishtinës nuk do të kenë transport publik.
Kjo ndalesë e “Trafikut Urban” vjen si pasojë e vështirëve financiare për shkak të bllokimit të buxhetit nga ana e Komunës së Prishtinës.
Por ndërprerjen e operimit për këtë shkak e kanë njoftuar edhe disa nga linjat private.
Lidhur me këtë dje kryetari Përparim Rama ka deklaruar se qytetarët po rrezikohen si asnjëherë më parë.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.
Numri një i kryeqytetit bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme.
“Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Situata e krijuar në kryeqytet ka ngjallur debat të madh në opinion mes liderit të LDK-së Lumir Abdixhiku, dhe ministrit në detyrë të Financave, Hekuran Muratit.
Sipas Abdixhikut, partia në pushtet e mori mesazhin në zgjedhjet lokale për bllokadën e krijuar.
“Prishtinën e bllokuan. Dhe Prishtina foli e para, foli qartë. LDK-në e riktheu si parti të parë; bllokuesit i la larg”, tha ai.
Ndërkaq sipas Muratit, fajtore për mosvotimin e buxhetit mbetet ish-opozita.
“Por ju vendosët që betejën politike ta bëni në kurriz të qytetarëve duke mos e votuar buxhetin”, ka shkruar ai.
Pas njoftimeve nga “Trafiku Urban” dhe kompania “24 Yjet”, edhe “Prishtina Shpk – Linja 7B” ka bërë të ditur se nga dita e hënë, ndalon tërësisht ofrimin e shërbimit të transportit të udhëtarëve.
Kompania sqaron se pezullimi vjen si pasojë e moslëshimit të mjeteve financiare nga niveli qendror, gjë që ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj saj.
Në njoftimin e “Prishtina Shpk – Linja 7B” thuhet se bllokimi financiar ka krijuar vështirësi të theksuara, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar shërbimet.
Vonesat në pagesa, të cilat datojnë që nga muaji maj, kanë prekur furnitorët, partnerët dhe proceset teknike të brendshme të kompanisë, duke e bërë të pamundur vazhdimin e operimit normal.
Pavarësisht performancës së qëndrueshme deri tani, kompania deklaron se kushtet aktuale nuk lejojnë më ofrimin e shërbimit dhe bën apel për zgjidhje të menjëhershme të situatës financiare në mënyrë që transporti publik të rikthehet sa më parë.
“Prishtina Shpk mbetet e përkushtuar të rifillojë punën menjëherë sapo të kryhen obligimet financiare ndaj nesh. Falënderojmë qytetarët për mirëkuptimin”, thuhet në njoftim.
Ndryshe Trafiku Urban ka njoftuar qytetarët se ndërprerja e qarkullimit të transportit publik i të gjitha linjave po bëhet për shkak të vështirësive financiare dhe mungesës së karburanteve.
Në njoftimin e saj, ndërmarrja shprehu keqardhje për pasojat që kjo ndërprerje mund t’u shkaktojë qytetarëve dhe bëri të ditur se shërbimi do të rifillojë menjëherë pas lëshimit të mjeteve nga Ministria e Financave, të cilat do të mundësojnë shlyerjen e obligimeve financiare të Komunës së Prishtinës ndaj ndërmarrjes.
Edhe kompania “24 Yjet” ka njoftuar se ka pezulluar të gjitha linjat urbane.
“Ne kërkojmë mirëkuptimin e udhëtarëve të cilët udhëtojnë me kompaninë tonë, por përgjegjësia për këtë situatë nuk është e jona”, kanë njoftuar nga kjo kompani.
Ndërprerja e sotme e transportit publik ka lënë mijëra qytetarë pa mundësi qarkullimi, duke krijuar vështirësi të mëdha në lëvizjen e tyre të përditshme.