FC Prishtina 01 nesër kërkon historinë ndaj FC Riga në Ligën e Kampionëve

Kampioni i Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, ka arritur një arritje historike duke u kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira në Champions League, një tregues i qartë i rritjes së futsallit në vendin tonë.

Të hënën, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, nga ora 20:25, FC Prishtina 01 e pret FC Riga në duelin e parë mes këtyre dy skuadrave. Një fitore do ta afronte skuadrën kosovare drejt objektivit madhor: të kualifikohej në 8 ekipet më të mira evropiane.

Trajneri Haki Ahmeti shprehu entuziazmin e tij dhe ftoi tifozët të mbështesin skuadrën.

"Jemi të lumtur me atë që kemi arritur, por duam ende më shumë. Skuadra është gati dhe e përgatitur për duelin me FC Riga. Ftoj shikuesit që të jenë në numër sa më të madh për këtë ndeshje."

Edhe për lojtarët, ky është një moment shumë i rëndësishëm, pasi paraqitjet në garat evropiane i rrisin vlerat e tyre. Kapiteni Shefki Kameri theksoi, se duan të arrijnë më shumë.

"Jemi në pjesën më të rëndësishme të garës. Është një arritje shumë e rëndësishme kjo. Shorti ka qenë i favorshëm dhe besojmë se mund të futemi në mesin e tetë ekipeve më të mira në Champions League".

Të gjithë të apasionuarit pas futsallit janë të ftuar të jenë pjesë e këtij momenti historik dhe të mbështesin kampionët e Kosovës në një përballje që mund të hyjë në faqet e historisë së klubit.