Lufta hibride e Rusisë: Gjermania forcon mbrojtjen

Rusia po forcon sulmet hibride kundër Gjermanisë, duke përfshirë përdorimin e dronëve, sabotimin e infrastrukturës dhe fushatat e dezinformimit. Forcat e sigurisë thonë se Gjermania nuk është e pambrojtur.

Kur e quajmë 'luftë'? Si fillon një 'luftë'? Veçanërisht sot, në epokën digjitale të sulmeve kibernetike?

"Nëse një nëndetëse ruse do të sulmonte dhe do të fundoste një korvetë gjermane, do të quhej luftë," tha Sönke Marahrens, kolonel i ushtrisë gjermane dhe strateg ushtarak, në një takim të fundit të forcave të sigurisë gjermane. "Por si paraqitet puna kur në ingranazhet e anijes do të hidheshin copa metali dhe ajo do të ndalte së funksionuari? A do të ishte luftë?"

Marahrensi është një ekspert i kërcënimeve hibride. Në konferencën e vjeshtës së Zyrës Federale të Policisë Kriminale (BKA) në Wiesbaden, ai diskutoi sfidat e ardhshme me ekspertë gjermanë dhe ndërkombëtarë të sigurisë.

Rusia, Europa dhe dronët: një luftë e re hibride?

Shembulli i Marahrensit për sabotimin që prek aftësinë operative të një anijeje luftarake gjermane është një incident i vërtetë që ndodhi në janar në korvetën Emden, pak para dorëzimit të saj në Marinën Gjermane.

Europa po përjeton një rritje të vazhdueshme të sulmeve hibride. Personeli ushtarak, oficerët e policisë, politikanët dhe shkencëtarët kanë paralajmëruar se situata është serioze.

"Po përjetojmë sulme kibernetike, shmangie nga sanksionet dhe zjarrvënie në një shkallë që nuk është parë kurrë më parë," tha Silke Willems nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, agjencia e shërbimit të fshehtë të brendshëm të Gjermanisë.

Identifikimi i autorëve është jashtëzakonisht i vështirë. Për policinë dhe shërbimet e fshehta, shpesh është e paqartë nëse një sulm është rus, një akt kriminal apo thjesht një rast i degradimit të infrastrukturës.

Krahasimi me incidente të ngjashme shpesh ofron një pamje më të qartë. Sipas hetuesve, Rusia vepron me qëllim në një zonë gri, gjë që e komplikon reagimin e vendeve të prekura.

Lufta kibernetike: armët e padukshme të sulmeve kibernetike

Sipas autoriteteve të sigurisë, Rusia po u drejtohet gjithnjë e më shumë operacioneve fitimprurëse. "Këtë tani e kryejnë të ashtuquajturit 'agjentë të nivelit të ulët'," shpjegoi për DW Holger Münch, drejtori i Zyrës Kombëtare të Policisë Kriminale. Münch shpjegoi se këta njerëz shpesh madje nuk e dinë se kush i punëson dhe janë të gatshëm të kryejnë sulme për një shumë relativisht të vogël parash.

Autorët janë kryesisht burra të rinj që tashmë kanë precedentë penalë, shumë prej të cilëve kanë emigruar në Gjermani nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ata shpesh rekrutohen, për shembull, përmes platformës ruse të mediave sociale Telegram, shpjegoi Münch.

Gjermania e gatshme të kundërpërgjigjet

Sipas Münchit, Zyra Federale e Policisë Kriminale ka zgjeruar ndjeshëm kapacitetet e saj për të luftuar sulmet kibernetike. Edhe nëse kriminelët marrin me qira qindra ose mijëra serverë në mbarë botën, BKA-ja mund t'i çaktivizojë ato, tha ai.

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexander Dobrindt ka premtuar se Gjermania do të forcojë reagimin e saj ndaj sulmeve. "Kushdo që na sulmon në hapësirën kibernetike duhet ta dijë këtë: ne duam të mbrohemi dhe do ta bëjmë këtë në të ardhmen! Ne gjithashtu mund të prishim dhe të shkatërrojmë," tha Dobrindt.

Në luftën kundër kërcënimeve hibride, qeveria gjermane vendosi këtë javë se, përveç Policisë Federale, Bundeswehr-i, forcat e armatosura gjermane, gjithashtu do të autorizohen të rrëzojnë dronë brenda Gjermanisë. Policia, nga ana e saj, planifikon të krijojë njësi shtesë të dronëve për t'u mbrojtur nga sulmet.

A do të ketë Gjermania James Bond-in e vet?

Por nuk janë vetëm dronët rusë, pajisjet zjarrvënëse dhe dezinformimi që shqetësojnë politikanët dhe ekspertët e sigurisë: gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani nuk u besojnë institucioneve shtetërore, gjë që paraqet një sfidë të madhe.

Lajmet e rreme dhe gënjeshtrat për institucionet demokratike dhe zyrtarët e zgjedhur, të gjitha të nxitura nga fushatat komplekse dhe në shkallë të gjerë të dezinformimit rus, synojnë ta bëjnë të paqëndrueshme situatën në Gjermani dhe në vendet e tjera demokratike përmes luftës hibride, sipas autoriteteve gjermane të sigurisë.

Për t'u siguruar që Gjermania të mbetet reziliente ndaj këtyre sulmeve, strategu ushtarak dhe kolonel Sönke Marahrens tha se lufta hibride duhet të pranohet si sfidë për shoqërinë në tërësi./DW