Arsimi tronditi Shkëndijën, Tikveshi fiton ndaj Bashkimit

Java e 14-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut solli rezultate të forta dhe befasuese. Derbi i luajtur në Gostivar mes Arsimit dhe Shkëndijës i shkoi vendasve me një fitore bindëse 3-0, ndërsa në Kavadar, Bashkimi i Kumanovës nuk arriti t’i rezistojë Tikveshit, duke u mundur me rezultat të thellë 3-0.

Ekipi i Arsimit përgatiti befasinë më të madhe të javës së 14-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, duke mposhtur bindshëm kampionin në fuqi, Shkëndijën, me rezultat të thellë 3-0 në ndeshjen e zhvilluar në Gostivar.

Pjesa e parë përfundoi pa gola, megjithëse të dyja skuadrat regjistruan raste të mira. Shkëndija kërkoi ta zhbllokonte sfidën, por mbrojtja e Arsimit funksionoi për mrekulli dhe nuk lejoi qasje të lehtë drejt portës së Islami-t. Tetovarët tentuan disa herë, ndërsa edhe Latifi provoi me një gjuajtje të ndalur nga portieri vendas.

Pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë dhe vetëm katër minuta pas rifillimit, Arsimi shokoi kampionët me dy gola të shpejtë. Shefit Shefiti dhe Alban Taipi shënuan në minutat 46’ dhe 49’, duke i dhënë vendasve një epërsi solide prej 2-0. Shkëndija u përpoq të rikthehej në lojë, por Shefiti pati rastin edhe për golin e tretë, i cili u ndal nga portieri Amzai.

Tetovarët tentuan të shtynin përpara me aksione nga krahu i majtë me Ibraimin dhe Spahiun, por pa arritur të krijonin raste të pastra. Arsimi menaxhoi mirë lojën dhe në minutën e 75-të erdhi goli që vulosi fitoren historike. Xhemil Jahiji shënoi me një goditje precize nga skaji i zonës për 3-0.

Kampionët bëjnë një hap të madh pas në garën për kreun, duke mbetur me 30 pikë, ndërsa Arsimi ngjitet në kuotën e 18 pikëve, vetëm katër më pak se Bashkimi.

Tikveshi kundër Bashkimit fitoi bindshëm 3-0, me tre gola të shënuar brenda 19 minutash në pjesën e parë. Ivan Ivanovski zhbllokoi rezultatin, më pas Martin Stojanov e çoi në 2-0 dhe Rushtu Jonus vulosi rezultatin 3-0. Me këtë fitore, ata ngjiten në vendin e tetë me 15 pikë, ndërsa Bashkimi mbetet i pesti me 22 pikë.