Gjyqi i ish-krerëve të UÇK-së drejt përfundimit, avokati: Dëshmitë e mbrojtjes theksojnë mungesën e hierarkisë komanduese

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – në Dhomat e Specializuara në Hagë, po hyn në fazën përfundimtare pasi dëshmitë e të gjithë dëshmitarëve kanë përfunduar.

Avokati Ardian Bajraktari, tha se procesi po i afrohet epilogut dhe se dëshmitarët e mbrojtjes kanë qenë “jashtëzakonisht kredibil e relevantë”, duke theksuar se nuk është argumentuar ekzistimi i një strukture komanduese të UÇK-së që do ta mbështeste akuzën për përgjegjësi komanduese.

“Tash më po shkojmë drejt fundit të këtij procesi të stërzgjatur, ajo çka në fakt kemi parë me theks të veçantë nga mesi i shtatorit e këndej kemi parë dëshmitarë jashtëzakonisht kredibil dhe të besueshëm dhe shumë relevant për procesin. Tashme po shkojmë drejt fundit të këtij procesi i cili natyrisht besojmë që do të marr epilog në pjesën e parë të vitit të ardhshëm se paku kështu e përcaktojnë dispozitat e rregullores së procedurës dhe të provave”, tha ai. Ai theksoi se gjatë gjithë procesit nuk është arritur të argumentohet ekzistenca e një strukture dhe hierarkie komanduese që do të mbështeste akuzat ndaj katërshe së UÇK-së.“Mbi bazën e asaj që kemi parë në bindjen time nuk është arritur që të argumentohet ekzistimi i strukturës dhe hierarkisë si dhe zinxhirët komandues si dhe mundësia e ushtrimit efektiv të kontrollit si dy prej elementeve bazë të përcaktuara me instrumente ndërkombëtare që të mund të vendoset përgjegjësia komanduese në raport me katërshe e UÇK e cila është ballafaquar me këto akuza prandaj përherë po flasim nëse ka drejtësi fundi i epilogut unë besoj që do të jetë pozitiv, do të jetë rikonfirmues, dhe do të konfirmohet se UÇK nuk ka pasur qëllim të kryej krime, nuk ka pasur një strukturë edhe hierarki të mirëfillte komanduese, dhe se synimi dhe qëllimi i vetëm ka qenë çlirimi i vendit në koordinimi të vazhdueshëm me aleatët me theks të veçantë me SHBA-të. Dëshmitë e dëshmitareve filluar nga i pari deri tek i fundit i mbrojtjes, pavarësisht që kanë qenë të paktë në numër, mirëpo kanë qenë jashtëzakonisht të besueshëm kredibil dhe protagonist të ngjarjeve që i bëjnë dëshmitar okular të ngjarjeve dhe e kanë paraqitur të vërtetën në raport me luftën raport me UÇK-në dhe në raport me gjendjen e vështirë dhe të rëndë e kaotike pas luftës”, tha ai.

Bajraktari shtoi se dëshmitë e mbrojtjes nuk janë thjesht dëshmi të individëve, por janë të mbështetura nga dokumente, materiale dhe raporte të ndryshme që përforcojnë bindjen e mbrojtjes mbi mungesën e një hierarkie të qartë dhe të mundësisë për kontroll efektiv.

“Sa i përket çështjes së dëshmitareve të ftuar nga ana e mbrojtjes, përveç që kanë qenë kredibil të besuar dhe shumë relevant, dëshmitë e tyre, deklarimet e tyre, në shumicën e rasteve janë shoqëruar edhe me dokumente, edhe me materiale edhe me raporte të ndryshme çka në fakt nuk e bënë thjeshtë vetëm dëshmia të një dëshmitari, mirëpo e përforcon pikëpamjen e tij sa i përket çështjes së ngecjes së zinxhirit komandues sa i përket çështjes së mungesës së një hierarkie, dhe mundësisë së ushtrimit të kontrollit çka në bindje time në masë të konsiderueshme të zbardhjes së kësaj të vërtetë i kanë kontribuar Shtet e Bashkuara të Amerikës me deklasifikimin e një numri të konsiderueshëm të dokumenteve bazuar në faktin që tash më ka kaluar një periudhë relativisht e gjatë kohore nga momenti i përfundimit të luftës në vendin tonë”, tha ai.

Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë lëshoi një numër të afateve dhe urdhrave në lidhje me përmbylljen e paraqitjes së argumenteve prej Mbrojtjes dhe fazat e mbetura të procesit.

Krahas aspekteve të tjera, Trupi Gjykues udhëzoi ekipet e Mbrojtjes së Thaçit dhe Krasniqit që të përmbyllin zyrtarisht paraqitjen e argumenteve prej tyre deri më 2 dhjetor 2025, ose në ditën e parë të punës pas lëshimit të vendimit të fundit prej Trupit Gjykues mbi kërkesat e mbetura për pranimin e provave, cilado data jetë më e hershme.

Sipas njoftimit të lëshuar nga DhSK, sa i përket dosjeve gjyqësore përfundimtare dhe deklaratës për pasojat e krimeve të pretenduara në viktimat pjesëmarrëse, “Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e palëve për zgjatje afati dhe urdhëroi që këto parashtrime të dorëzohen deri më 19 janar 2026, vijuar nga deklaratat përmbyllëse, që janë planifikuar për t’u paraqitur nga 9 deri 13 shkurt 2026”.

“Trupi Gjykues shtyu për një fazë më të vonshme vendimin mbi modalitetet e procesit të mundshëm të zhdëmtimit. Ai gjithashtu hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes për procedurë të veçantë të përcaktimit të dënimit, duke konfirmuar se çdo përcaktim i dënimit, në rast se është i zbatueshëm, do të shqyrtohet me Aktgjykimin, dhe duke urdhëruar palët që të përfshijnë çdo parashtrim lidhur me përcaktimin e dënimit në dosjet gjyqësore përfundimtare të tyre”, u tha në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Të martën e 18 nëntorit 2025 ka dëshmuar dëshmitari i fundit i mbrojtjes së Hashim Thaçit në rastin ku ai së bashku me Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Dëshmitari i fundit i mbrojtjes ishte gjenerali Wesley Clark.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Steëart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025. E ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee dëshmoi më 12 dhe 13 nëntor 2025.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së të cilët po gjykohen në Hagë janë mbajtur katër protesta në Prishtinë, Hagë, Tiranë dhe Strasburg.

Më 3 prill 2023 nisi gjykimi ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që akuzohen nga Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. /eo