Alonso pranon problemin e madh te Real Madridi

Real Madridi ka hyrë në një periudhë të ftohtë në repartin ofensiv. Pas humbjes ndaj Liverpoolit dhe barazimit pa gola me Rayo Vallecanon, skuadra e Xabi Alonsos ka dy ndeshje radhazi pa shënuar – diçka e rrallë për kampionët e Spanjës, që këtë sezon e kanë nisur me ambicie maksimale.

Trajneri Alonso ka folur hapur për situatën, duke mos pranuar që “faji” të bjerë vetëm mbi superyllin Kylian Mbappe. 

Alonso deklaroi se analizat po kryhen si zakonisht, ndërsa s’është faji i francezit pasi e tërë skuadra duhet të shënojë gola.

“E analizojmë pas çdo ndeshjeje. Nuk varet vetëm nga Mbappe, është diçka e gjithë ekipit”.

“Kur nuk shënojmë, duhet të gjejmë alternativa që nuk varen vetëm nga qendërsulmuesi. Duhet t’i përdorim më shumë krahët nga thellësia ose goditjet standarde. Goli do të kthehet, për këtë s’kam asnjë dyshim”.

Në Madrid tashmë nisin të qarkullojnë pyetjet e para: a është kjo vetëm një fazë e keqe kalimtare apo sinjal se Realit i mungon kreativiteti i duhur në sulm?

Përndryshe, Reali të dielën do të përballet me Elchen.