Nigeri: Grupi i armatosur rrëmben mbi 300 fëmijë dhe 12 mësues në një shkollë
Një grup besimtarësh të krishtertë në Nigeri kanë deklaruar se 315 nxënës dhe 12 mësues janë rrëmbyer pasditen e të premtes pasi shkolla ku ata ndodheshin u sulmua nga një grup I armatosur.
Ky është rrëmbimi I dytë masiv që ndodh brenda kësaj jave në shtetin më të populluar të Afrikës. Sipas Shoqatës së të Krishterëve të Nigerisë (CAN), numri i personave të marrë peng u konfirmua të shtunën për shkak të verifikimit të të gjithë fakteve dhe të dhënave.Viktimat përbëjnë pothuajse gjysmën e numrit total të nxënësve të shkollës, e cila kishte 629 fëmijë të regjistruar.
Rrëmbimi i së premtes ndodhi vetëm katër ditë pasi persona të armatosur sulmuan një shkollë në shtetin fqinj të Kebbit, ku rrëmbyen 25 vajza. Autoritetet federale ende nuk kanë dhënë një koment zyrtar për numrin e personave të marrë peng.
Guvernatorët e shteteve të Katsinës dhe Plateau-s kanë urdhëruar mbylljen e të gjitha shkollave si masë parandaluese, ndërsa shteti Niger ka mbyllur më herët disa institucione arsimore për shkak të rrezikut në rritje. Presidenti Bola Tinubu anuloi pjesëmarrjen në Samitin e G20 në Johanesburg për t’u marrë me krizën.
Ngjarjet e fundit, përfshirë edhe një sulm në një kishë në perëndim të vendit ku u vranë dy persona dhe shumë të tjerë u rrëmbyen, kanë rritur frikën e përshkallëzimit të dhunës, në një kohë kur Nigeria përballet me sfida të mëdha sigurie.
Prej vitesh, banda kriminale të armatosura operojnë në zona rurale të veriut dhe qendrës së Nigerisë, duke realizuar rrëmbime për shpërblim dhe sulme të dhunshme. Disa nga këto grupe kanë krijuar lidhje me xhihadistët që prej 16 vitesh zhvillojnë kryengritje në verilindje, me synimin për të ngritur një kalifat.
Një burim i OKB-së tha se fëmijët e rrëmbyer në Kebbi mund të jenë dërguar drejt pyllit Birnin Gwari në shtetin Kaduna, një zonë ku shtrihen kampet e shumë bandave.
Rasti ka rikthyer në kujtesë rrëmbimin famëkeq të vitit 2014 në Chibok, ku Boko Haram mori peng gati 300 vajza, shumë prej të cilave mbeten ende të zhdukura./abcnews.al