Lldrovci i pakënaqur edhe me Hamzën: Mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka reaguar edhe sot në lidhje me zhvillimet në PDK.

Lladrovci ka thënë se përkundër deklarimeve të tij të qarta, gjendja në Drenas po promovohet normale dhe disfata po paraqitet si fitore, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Lladrovcit:

Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës

Përkundër deklarimeve të mija, të qarta si rrezja e diellit, mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet. Për fat të keq, nga disa eksponentë, gjendja po promovohet normale dhe disfata po paraqitet fitore.

Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën.

Uniteti është zotim i përkushtimit për qëllime më të larta se fati i një dege apo individi. Uniteti është kusht i fitores për ta ndryshuar gjendjen e Kosovës, e cila qëndron mbi çdo sakrificë tonën.

Situata në PDK kërkon ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ. Kjo mund të bëhet duke u shërbyer me gjuhën e fitimtarëve me vizion, pa kushte dhe pa hile.

Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese.