Zeka: Investimet e munguara dhe kriza politike rrezikojnë rritjen ekonomike të Kosovës

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, në një intervistë për Ekonomia Online tha se mungesa e investimeve kapitale gjatë vitit 2025 ka krijuar vështirësi për bizneset dhe ka penguar rritjen ekonomike të vendit, duke ndikuar në klimën e investimeve dhe interesin e investitorëve të huaj. 

Ai theksoi se kriza politike dhe vonesat në formimin e qeverisë së re kanë dëmtuar gjithashtu imazhin ndërkombëtar të Kosovës dhe mund të ndikojnë në aftësinë e vendit për të përfituar fonde dhe mbështetje ndërkombëtare.

“Ajo çfarë kemi parë gjatë këtij viti po filloj ndoshta prej mungesës së investimeve kapitale të cilat nuk janë realizuar në plotësi ashtu siç janë parapa me ligjin e buxhetit për vitin 2025, kjo është ankesa më e zakonshme nga kompanitë anëtare dhe biznese e tjera në Kosovë. Investimet kapitale kanë rëndësi të jashtëzakonshme për shkak të faktorit multiplikues në ekonomi që ato gjenerojnë dhe kjo ka bërë që një pjesë e madhe e bizneseve të ballafaqohen me vështirësi”, tha ai.

Ai tha se ndikimi i krizës politike është i matshëm dhe lidhet me mosarritjen e normës së parashikuar për rritjen ekonomike.

“Kur po flasim për ndikimin e kësaj krize politike gjithmonë të ndalemi te ajo që është e matshme, e matshme do të thotë është mos arritja e normës së parashikuar për rritjen ekonomike për vitin 2025, nuk besoj që do ta kemi atë që institucionet vendore e kanë parapa fillimisht në fund viti të kaluar ose në fillim të këtij viti. Po flasim për pa mundësinë e vendit që të merr fondet e BE-së ato të parapa me plani e rritjes por edhe instrumente e tjera financiare zhvillimore”, tha ai.

Zeka gjithashtu theksoi se imazhi i Kosovës në arenën ndërkombëtare po dëmtohet nga lajmet negative për situatën politike dhe për vonesat që ishin në konstituimin e institucioneve.

“Ajo çfarë po shoh në tituj e mediave e kjo është diçka që nuk matet domosdoshmërish, nuk mund të kuantifikohet është ndikimi negativ që situata e tillë ka në imazhin e vendit. Kosova edhe ashtu lëngon prej një imazhi jo të mirë, edhe pjesë bjen të mos jetë storje e përfunduar do të thotë ne akoma nuk kemi arritur anëtarësim të plotë në organizata ndërkombëtare. Por të njëjtën kohë lëngojmë për më shumë njohje nga shtete të tjera të globit edhe rrjedhimisht lajmet negative siç është puna me tituj që Kosova po thyen rekorde në mos konstituim të Kuvendit, Kosova po thyen rekorde në mos krijimin e qeverisë së re që pas zgjedhjeve të shkurtit, janë lajme që nuk i bëjnë nder imazhit tonë”, tha ai.

Ai theksoi gjithashtu mungesën e interesimit nga investitorët e huaj gjatë këtij viti dhe vështirësitë për të konkretizuar investimet.

 “Janë shumë të rralla rastet në të cilat një investitor i huaj vendos të prej një shirit, janë të pakta rastet kur investitorët e huaj po vendosin të zgjerojnë investimet e tyre. Ajo që kemi vënë ne re si OEAK gjatë këtij viti është reduktim i dukshëm i interesimit nga investitorët e huaj për të parashtruar pyetje për sa i përket klimës së të bërit biznes në Kosovë apo lehtësirave që vendi i ofron. Është mëkat për shkak se Kosova ofron përparësi të mëdha konkurrues të njëjtat nuk po arrin të promovohen si duhet para investitorëve të huaj. Ne nuk po arrijmë që të konkretizojmë interesin e caktuar të investitorëve dhe të njëjti ta vëmë në zhvillim ekonomik”, tha ai.

Sa i përket deklaratave të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se rritja mesatare e këtij viti do të jetë 6 për qind janë jorealiste, ndërsa parashikimet reale tregojnë se rritja do të jetë më e ulët se 4 për qind. 

 “Deklaratat e tilla janë të pa precedent, mesatarja e 3-4 viteve të fundit përdoret për të treguar rritjen ekonomike që vendi ka pasur, ne kemi pasur qeveri që kanë pasur karakter popullist edhe në të kaluarën, por megjithatë ato të njëjtat janë referuar rritjes ekonomike që vendi ka arritur për gjatë një viti të caktuar. Ne duhet të jemi realist në këtë aspekt, këtë vit presim që të kemi rritje më të vogël se sa 4 për qind, do të befasohesh nese statistikat që do të publikohen në fillim të vitit 2026 për rritjen ekonomike të vitit 2025 do të ishin të tjera”, tha ai.

Ai paralajmëroi se situata aktuale kërkon një qeveri të re që i kushton rëndësi marrëdhënieve strategjike me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për të mbrojtur zhvillimin ekonomik dhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Kosova është njëri prej shteteve e cila ka Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partnere më të rëndësishme strategjikisht. Ndërprerja e dialog strategjik të SHBA me Kosovën natyrisht që është lajm jo i mirë dhe ndikon negativisht në imazhin që vendi e gëzon ndërkombëtarisht. Uroj që shpejt pas zgjedhjeve të reja të kemi një qeveri të re, e cila i kushton rëndësi më të madhe raporteve me SHBA me BE, Kosova nuk e meriton që të jetë nën sanksion ose të ballafaqohet me masën ndëshkuese nga BE apo aleatët e saj me qenë se ne kemi bërë terren këtu 26 vite nga çlirimi dhe 17 vite prej shpalljes së pavarësisë vetëm me ndihmën dhe mbështetjen e aleatëve tanë ndërkombëtarë. Kështu që qasja aktuale për çka natyrisht një pjesë e madhe e fajit i vihet edhe autoriteteve të Kosovës momentalisht nuk guxon dhe nuk mund të vazhdojë”, tha ai.