Policia jep detaje për zyrtarin policor që u godit me veturë nga karabinierët e KFOR-it në Pejë
Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksidentin që ka ndodhur dy ditë më parë në Banjë të Pejës, ku një zyrtar policor është goditur nga një veturë, e ku i përfshirë ishte edhe KFOR-i.
Policia në Pejë ka konfirmuar rastin për “Zërin”, pa përmendur se në këtë aksident ka qenë i përfshirë edhe KFOR-i, të cilët shihen edhe në videon e publikuar.
“Më datë 19.11.2025, rreth orës 08:35 minuta, në fshatin Banjë, patrulla e trafikut, gjersa ishte ne pikë kontrolli, kishte ndaluar një Kamion (Shliper) zyrtari policor gjersa kryente kontrollin e automjetit - kamionit i cili ishte jashtë rrugës, nga drejtimi i Pejës vjen një automjet i cili ndalet”.
“Menjëherë pas tij ishte një automjet tjetër, i cili me pjesën ballore e godet automjetin nga prapa a të cilin nga pesha e hedh në kamionin e ndaluar, aty ishte zyrtari policor të cilin e përplas për kamion dhe i shkakton lëndime të trupore. I lënduari menjëherë dërgohet për në Emergjencë të Spitalit Rajonal në Pejë, e pastaj në QKUK - Prishtinë”, ka thënë për “Zërin” zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
Ai tha se në vend të ngjarjes ka dalë njësiti kompetent i Policisë së Kosovës, prokurori dhe njësiti i karabinierëve për të kryer shikimin e vendit të ngjarjes. /Zëri