Hoxhaj: Koha për rizgjim politik – nuk ka vija të kuqe për VV-në

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se viti 2026 duhet të shënojë një pikë kthese për sistemin politik në Kosovë, pas, siç u shpreh, përpjekjeve për të përmbysur rendin kushtetues në vitin 2025.

“Përpjekjet për ta përmbysur rendin kushtetues është ajo që ka ndodhur në vitin 2025. Në këtë drejtim, ky vit duhet të jetë një vit i rizgjimit politik,” ka thënë Hoxhaj.

Ai u pyet edhe për mundësinë e bashkëpunimit me VV-në.

“Unë, para disa muajve, kam thënë se nuk ka vija të kuqe për VV-në, ashtu siç ka thënë tash edhe Bedri Hamza, sepse ashtu mendojmë që për të gjitha partitë nuk kemi vija të kuqe,” u shpreh ai.

Hoxhaj kritikoi gjendjen politike dhe institucionale në vend gjatë vitit të fundit, duke e quajtur atë një vit të humbur për Kosovën.

“Rrallë ndodh që në shtete demokratike, për një vit të mos të ndodhë asgjë, që vendi të jetë në krizë politike dhe shoqërore. Përreth është duke ndodhur mrekulli, Shqipëria mund të anëtarësohet në BE në 2030, Mali i Zi gjithashtu,” tha Hoxhaj.

Ai theksoi se Kosova ka humbur kohë të çmuar, për çka fajësoi kryeministrin Albin Kurti.

“Kjo kohë ka qenë humbje e kotë, e panevojshme, e dëmshme, me të vetmen premisë që e ka pasur Kurti, të krijojë një kulturë politike që i shërben fuqizimit të tij të pushtetit sesa fuqizimit të shtetit të Kosovës.”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, vendi ka nevojë urgjente për rikthim në stabilitet dhe funksionim të normal të institucioneve, duke u harmonizuar me zhvillimet pozitive në rajon. /Tëvë1