Shqipëria përballë Polonisë, në Varshavë për biletën e finales

Shqipëria do të ndeshet me Poloninë në gjysmëfinale të play-off-it të Botërorit 2026.

Ky ishte verdikti i shortit që sapo është hedhur në Cyrih. Në rast kualifikimi, Kombëtarja shqiptare do të ndeshet në finale me fituesin e çiftit Ukrainë - Suedi. Edhe në këtë rast Shqipëria do ta luante ndeshjen jashtë fushe.

Kualifikimi për në finalet vendoset nga një ndeshje teke, që do të zhvillohet më 26 mars. Në shortin e sotëm merrnin pjesë 16 skuadra nga Evropa, por vetëm 4 prej tyre mund të shkojnë në Botërorin e Meksikës, Kanadasë dhe SHBA-së.

Polonia është një kundërshtar jo pak “familjar” për kombëtaren shqiptare, pasi në eliminatoret e fundit është ndeshur shpesh me këtë skuadër.

Ndeshja e fundit me Poloninë është ajo e 10 shtatorit 2023, ku kuqezinjtë fitonin në stadiumin “Air Albania” me rezultatin 2-0, me gola të shënuar nga Asani dhe Daku.