Aktakuzë ndaj dy personave për shitblerje të votës në Budakovë të Suharekës

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër dy të pandehurve Y.Rr. dhe B.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtët kanë kryer veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje në lidhje me votimin”, në fshatin Budakovë të Suharekës.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se i pandehuri Y.Rr. ka ofruar para të pandehurin tjetër B.K. që të votojë një kandidate për asamble në zgjedhjet lokale.

“Sipas aktakuzës, më 12.10.2025, në fshatin Budakovë - komuna e Suharekës, i pandehuri Y.Rr. ka ofruar përfitim të pa merituar në shumën 120 euro për të pandehurin B.K., me qëllim që ky i fundit të votojë në favor të kandidates për ansamble komunale dhe për verifikimin e votimit, i pandehuri Y.Rr. ka kërkuar të shohë telefonin e B.K., pas së cilës i ka dorëzuar shpërblimin. Ndërkaq, i pandehuri B.K. akuzohet se ka pranuar këtë përfitim të pamerituar, me qëllim të ndikimit në votimin e tij”, thuhet në njoftim.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.