Avokatja gjobitet me 500 euro për mungesë në gjykimin për ryshfet me subvencione në Ministrinë e Bujqësisë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të mbrojtëses së të akuzuarit Salih Statovci, avokates Albina Budakova, ka dështuar të mbahet seanca për korrupsion, ku bashkë me Statovcin po akuzohen edhe Luan Statovci, Berat Nika dhe Xhevat Uka. Budakova u gjobit me 500 euro për mungesë në seancë.

Në këtë rast, Luan Statovci dhe Berat Nika në cilësinë e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë, Salih Statovci- vëllai i të akuzuarit të parë, si dhe Xhevat Uka në cilësinë e pronarit të kompanisë “Agro & Ferma”, akuzohen për ryshfet lidhur me marrjen e subvencionit nga i pandehuri Uka në Ministri.

Kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Sulltane Hoti njoftoi se avokatja Budakova nuk e ka njoftuar Gjykatën lidhur me mungesën, ndërsa për të njëjtat arsye kishte dështuar edhe një seancë paraprake.

Ndaj avokates, trupi gjykues mori aktvendim me të cilin i shqiptoi gjobë në shumën prej 500 eurove.

Në seancë nuk ishte prezent as i pandehuri Xhevat Uka, për të cilin gjyqtarja Hoti njoftoi se në shqyrtimin fillestar e kishte pranuar fajësinë, andaj mungesa e tij nuk paraqet pengesë për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u ndërpre, ndërsa e radhës u caktua për një datë tjetër.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prishtinë e ngritur më 31 maj 2024, ngarkon Luan Statovcin, Berat Nikën, Salih Statovcin dhe Xhevat Ukën, për ryshfet lidhur me subvencionet në Ministri të Bujqësisë.

Sipas aktakuzës, Luan Statovci dhe Berat Nika akuzohen se gjatë periudhës kohore gusht 2020 e deri më 28 dhjetor 2020, në hapësirën e Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë në Ministrinë e Bujgësisë, i pandehuri Luan Statovci, si drejtor i Pagesave Direkte në AZHB dhe i pandehuri Berat Nika si zyrtar për pagesa direkte në AZHB, në bashkëveprim kanë kërkuar ryshfet nga i pandehuri Xhevat Uka, si dhe të njëjtit kanë marrë shumën e parave prej 5 mijë eurove.

Aktakuza thotë që derisa i pandehuri Uka kishte aplikuar për subvencion në Ministrinë e Bujqësisë për vitin 2020, i pandehuri Nika e njofton Ukën se nuk do t’i aprovohet subvencioni se kinse nuk i ka të gjitha dokumentet në rregull, duke i kërkuar për disa ditë dokumente tjera shtesë një pas një dhe më pas e merr të pandehurin Uka dhe e dërgon në zyrën e të pandehurit Luan Statovci dhe aty ky i fundit në prezencë të Nikës i kërkon para në shumën prej 6 mijë euro, e më pas dakordohen për shumën prej 5 mijë euro, duke e kushtëzuar se nuk do t’i aprovohet kërkesa për subvencion dhe merren vesh që këtë shumë t’ua japë Xhevat Uka pas daljes së pagesës së subvencioneve në xhirollogarinë e Ukës.

Në aktakuzë thuhet se më 28 dhjetor 2020, në një pompë derivatesh në fshatin Bibaj të Ferizajt, në prezencën e Luan Statovcit, i pandehuri Uka ia dorëzon shumën prej 5 mijë eurove të pandehurit Salih Statovci, i cili i futi paratë në xhep dhe u larguan nga aty.

Për këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 421, par. 1 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në pikën e dytë të aktakuzës ngarkohet Salih Statovci se më 19 nëntor 2020 e deri më 28 dhjetor 2020, e ka ndihmuar vëllanë e tij- të pandehurin Luan Statovci, drejtor i Pagesave Direkte në AZHB në Ministrinë e Bujqësisë dhe zyrtarin Berat Nika në kryerjen e veprës penale “Marrje ryshfeti”, të përshkruar si në dispozitivin I të kësaj aktakuze. Ai thuhet se e kishte thirrë dhe kishte shkruar mesazhe në telefon me të pandehurin Xhevat Uka dhe duke u takuar disa herë me të, i cili kishte aplikuar për subvencion në Ministrinë e Bujqësisë.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht Statovci më 19 dhjetor 2020 takohet me të pandehurin Uka, i cili tenton t’ia japë shumën prej 2 mijë e 500 euro, e të cilat i pandehuri Statovci ia refuzon me qëllim që t’ia marrë të tërë shumën prej 5 mijë euro të premtuar më herët, dhe kështu me datë 28 dhjetor 2020 i pandehuri Salih Statovci ia merr shumën e të hollave prej 5 mijë eurove për t’ua dhënë më pas të pandehurve Luan Statovci dhe Berat Nika.

Për këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihma” nga Neni 33 lidhur me veprën penale “Marrje ryshfeti” nga Neni 421, par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas pikës III të kësaj aktakuze, i akuzuari Xhevat Uka ngarkohet se më 27 gusht 2020, në zyrat e AZHB-së në Ministrinë e Bujqësisë, dhe më 19 nëntor 2020 e deri më 28 dhjetor 2020, i pandehuri Xhevat Uka, pronar i kompanisë “Agro & Ferma” SH.P.K, me qëllim të përfitimit në mënyrë të drejtpërdrejtë, fillimisht më 27 gusht 2020 në zyrën e Ministrisë së Bujqësisë, iu premton të akuzuarve Luan Statovci dhe Berat Nika dhënien e parave në shumën prej 5 mijë euro, që të njëjtit të veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare.

Aty thuhet se për paratë e premtuara, më 19 nëntor 2020 tentoi t’ia japë të pandehurit Salih Statovci në shumën prej 2 mijë e 500 euro, e të cilat i pandehuri Statovci ia refuzon me qëllim që t’ia marrë të tërë shumën prej 5 mijë euro të premtuar më herët. Andaj, më 28 dhjetor 2020 në prezencën e Luan Statovcit i pandehuri Xhevat Uka me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë për interesa të tija ia dorëzon shumën e parave prej 5 mijë euro të pandehurit Salih Statovci, i cili këto para i fut në xhep, dhe më pas të gjithë largohen nga aty.

Për këtë, Uka akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga Neni 422, par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi