Axios: Trumpi dhe Moska në negociata të fshehta për një marrëveshje paqeje në Ukrainë
Administrata Trump po punon me Rusinë për të hartuar fshehurazi një plan të ri për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, sipas faqes së internetit Axios.
Sipas raportit, bëhet fjalë për një plan 28-pikësh të ndërtuar sipas modelit të marrëveshjes së armëpushimit të Trumpit në Gazë.
Një zyrtar i lartë rus madje i tha Axios se është optimist për planin, megjithëse ende nuk është e qartë se si do të reagojnë Ukraina dhe aleatët e saj evropianë.
Sipas burimeve të cituara nga Axios, 28 pikat e planit ndahen në katër kategori të përgjithshme:
Paqe në Ukrainë, garanci sigurie, siguria në Evropë dhe marrëdhëniet e ardhshme të SHBA-së me Rusinë dhe Ukrainën.
Hartimi i planit duket se udhëhiqet nga i dërguari i Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, i cili raportohet se e ka diskutuar gjerësisht me të dërguarin rus Kirill Dmitriev.
Dmitriev i tha Axios se kaloi tre ditë në takime me Witkoff dhe anëtarë të tjerë të ekipit të Trumpit gjatë një vizite në Miami nga 24 deri më 26 tetor.
Ai shtoi se është optimist për shanset e suksesit sepse, ndryshe nga përpjekjet e mëparshme, “qëndrimi rus po dëgjohet vërtet”.
Ende nuk është bërë publike se si plani do të trajtojë çështje të tilla si kontrolli i territorit në Ukrainën Lindore, ku forcat ruse po përparojnë ngadalë, por kontrollojnë më pak territor sesa synon Kremlini.
Një zyrtar ukrainas konfirmoi se Witkoff e ka diskutuar planin me këshilltarin e sigurisë kombëtare të Zelenskyt, Rustam Umerov, në një takim në Miami në fillim të javës.
“Ne e dimë që amerikanët po punojnë për diçka,” tha zyrtari ukrainas. Ndërkohë, një zyrtar amerikan i tha Axios se “presidenti (Trump) e ka bërë të qartë se është koha të ndalohen vrasjet dhe të bëhet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës. Presidenti Trump beson se ekziston mundësia e përfundimit të kësaj lufte të pakuptimtë nëse tregohet fleksibilitet”.
Sipas Dmitrievit, ideja kryesore është të ndërtohet mbi parimet për të cilat Trump dhe Putin ranë dakord në Alaska në gusht dhe të zhvillohet një propozim “për adresimin e konfliktit në Ukrainë, për rivendosjen e marrëdhënieve SHBA–Rusi dhe për adresimin e shqetësimeve të sigurisë së Rusisë”.
“Ky është një kuadër shumë më i gjerë, i cili në thelb synon siguri të qëndrueshme për Evropën, jo vetëm për Ukrainën,” shtoi ai, duke theksuar se objektivi është hartimi i një dokumenti me këto udhëzime para takimit të ardhshëm Trump–Putin.
Ai tha gjithashtu se pala amerikane është aktualisht duke shpjeguar “përfitimet” e qasjes së saj për ukrainasit dhe evropianët. “Kjo po ndodh në sfondin e sukseseve shtesë të Rusisë në fushën e betejës,” shtoi ai.
Zyrtari amerikan që foli me Axios tha se Shtëpia e Bardhë beson se ka një shans real për të bindur ukrainasit dhe evropianët të bashkohen dhe se plani do të përshtatet sipas pikëpamjeve të palëve të përfshira: “Ne besojmë se momenti është i duhur për këtë plan. Megjithatë, të dyja palët duhet të jenë praktike dhe realiste”. /euronews