Polonia dyshon se Rusia qëndron pas shpërthimit në hekurudhë

Polonia dyshon se shërbimet e inteligjencës ruse qëndrojnë pas shpërthimit në një linjë të madhe hekurudhore polake, që përdoret për transportimin e pajisjeve ushtarake dhe ndihmë për Ukrainën, një akt që kryeministri Donald Trusk e quajti “akt të paprecedent sabotimi”.

Në komentet e para ku një zyrtar polak sugjeroi se Moska qëndronte pas sulmit gjatë fundjavës, Jacek Dobrzynski, zëdhënës i Ministrit të Shërbimeve Speciale të Polonisë, tha se shpërthimi ishte një përpjekje “për të destabilizuar” dhe “përhapur frikë”.

Në një fjalim para ligjvënësve polakë pas takimit të jashtëzakonshëm, Tusk tha se Polonia kishte identifikuar dy persona përgjegjës për sabotimin në hekurudhën e saj.

Ai shtoi se të dyshuarit janë shtetas ukrainas që kanë bashkëpunuar me inteligjencën ruse dhe janë arratisur në Bjellorusi.

“Informacioni më i rëndësishëm është se… kemi identifikuar personat përgjegjës për aktet e sabotimit”, tha Tusk gjatë një fjalimi para ligjvënësve në Varshavë.

“Në të dy rastet jemi të sigurt se tentativa për të hedhur në ajër shinat dhe shkelja e infrastrukturës hekurudhore kanë qenë të qëllimshme dhe synimi i tyre ka qenë shkaktimi i një katastrofe në trafikun hekurudhor”.

Tusk shtoi se Polonia po rrit nivelin e gatishmërisë së sigurisë në disa pjesë të vendit dhe po harton plane që ushtria të mbrojë infrastrukturën kyç, përfshirë hekurudhat.Shpërthimi i 17 nëntorit ndodhi në një linjë që lidh Varshavën me qytetin lindor polak Lublin, rreth 100 kilometra larg nga kufiri me Ukrainën.

Prokurorët polakë e kanë kualifikuar sabotimin si terrorizëm, duke thënë se mund të jetë kryer me urdhër të një fuqie të huaj.

Kremlini më 18 nëntor tha se Polonia po i nënshtrohet një vale të “rusofobisë” që po “lulëzon” në gjithë Evropën.

“Rusia akuzohet për të gjitha manifestimet e luftës hibride dhe luftës direkte që po zhvillohet”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në një intervistë me një gazetar të televizionit shtetëror rus.

“Në Poloni, le të themi, sa i përket kësaj çështjeje të gjithë po përpiqen të vrapojnë përpara lokomotivës evropiane. Dhe rusofobia, sigurisht, po lulëzon atje”.

Ministri polak i Mbrojtjes, Wëadysëaw Kosiniak-Kamysz, njoftoi se forcat e sigurisë po forconin patrullimet për të mbikëqyrur zonat kritike të rrjetit hekurudhor në lindje të shtetit, si ura, tunele, stacione dhe sisteme tl kontrollit.

Zyrtarët polakë, si dhe ata të shteteve të tjera evropiane, prej kohësh kanë akuzuar Moskën se po zhvillon një fushatë “hibride” sabotimi dhe spiunazhi kundër vendeve që kanë ndihmuar Ukrainën që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë në shkurt të vitit 2022.

Muajin e kaluar, autoritetet polake arrestuan tetë persona nën dyshime për spiunazh apo planifikim të sulmeve në emër të Rusisë.

Në janar, Tusk e akuzoi Rusinë se po përgatiste sulme terroriste kundër objektivave të paspecifikuar duke përdorur aeroplanë.

Deklaratat e tij erdhën mes një sërë incidentesh të dyshimta, shqetësuese dhe të pashmjegueshme.

Disa prej tyre kanë përfshirë linja ndërkombëtare ajrore dhe pretendime se Rusia po përpiqej të vendoste eksplozivë të fshehur në aeroplanë për transportimin e mallrave, ndërsa të tjera kanë përfshirë anije që kanë dëmtuar kabllot nënujore.

Moska ka mohuar vazhdimisht akuzat perëndimore për sulme terroriste, përfshirë zjarrvënie, hyrje me forcë, helmime dhe sulme ndaj individëve në Perëndim./REL