Seanca e së mërkurës testi i fundit për Lëvizjen Vetëvendosje

E mërkura është mundësia e fundit për edhe një mandat në qeveri për Lëvizjen Vetëvendosje, e cila tash e 7 muaj ka insistuar se i ka 61 vota, por nuk e ka dëshmuar asnjëherë.

Në herën e parë dështoi me kandidaturën e Albin Kurtit, ndërsa në seancën që mbahet, nesër, do të testohet kandidatura e Glauk Konjufcës.Deri më tani publikisht, Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka dhënë asnjë shenjë se i ka siguruar 61 vota për nesër.

Ish-diplomati Blerim Canaj vlerëson se barra e përgjegjësisë për këtë bllokadë i takon partisë fituese të zgjedhjeve të fundit, qasja e së cilës vështirë se mund të sjellë risi në seancën e nesërme.

“Ne kemi deputetë të cilët jo domosdoshmërisht i dëshirojnë zgjedhjet sepse e dijmë se cila është energjia dhe kostoja e betejës për deputet. Në anën tjetër, si mund të votohet diçka blanko, ndoshta mundet të dalë dikush që për hir të buxhetit të shtetit që duhet të votohet për hir të këtyre qindra miliona eurove që janë të bllokuara nga BE, ndoshta edhe dikush vetëm ta votojë ndoshta edhe partitë politike do t’i lënë të lirë deputetët që të votojnë sikur që mendojnë ata”, ka thënë Canaj.

Se çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Demokratike në seancë nuk dihet, por deklarata e kryetarit të ri të partisë një ditë më parë e ka lënë të hapur bashkëpunimin me të gjithë.

“Sa i përket bashkëpunimit unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe për asnjë subjet politik dhe normalisht se bashkëpunojmë, me të gjitha partitë politike në dobi dhe interes të vendit, gjithmonë brenda rregullave dhe brenda marrëveshjeve politike”, ka thënë Bedri Hamza.

Në anën tjetër, ndër urimet që Hamza ka pranuar për postin e ri ka ardhur edhe nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, i cili është zotuar për bashkëpunim korrekt.

“I shpreh urimet e mia z. Bedri Hamzës për zgjedhjen e tij në detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës. Proceset zgjedhore brenda partisë, por edhe bashkëpunimi i ndërsjelltë i spektrit të gjerë politik, çdo herë në të mirë të interesit publik, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit tonë…”, ka thënë Albin Kurti.

Analisti tjetër politik, Belgzim Kamberi thotë se qëndrimi i hapur për bashkëpunim me të gjithë nuk është risi në PDK, e madje as urimi i Kurtit, sepse situata është shumë më e ndërlikuar.

“E kam pak vështirë të e mendoj një koalicion VV-PDK nëse prapa nuk qëndron një fuqi ndërkombëtare e cila do ta lehtësonte këtë proces, e dyta do të varej shumë se për çfarë do të bëhej kjo sepse nëse do të kishte një koalicion të ashtu quajtur të madh midis dy rivalëve historik, atëherë kjo do të ishte brenda një agjende, e sidomos për agjendën e dialogut Kosovë-Serbi dhe ndonjë marrëveshje me Serbinë dhe në këtë drejtim natyrisht do të duhej që faktisht që të kemi një ndërmjetësue ndërkombëtar. Dhe e treta  do të duhet faktikisht që të ndahen edhe pushtet, pozicionet dhe kjo do të nënkuptontë që në një koalicion të këtillë do të duhej të hynte edhe posti i Presidentit”, ka thënë Kamberi.

Nëse dështon seanca e së mërkurës, zgjedhjet e parakohshme mbahen më së largu në javën e tretë të muajit dhjetor./dukagjini