Krasniqi: Seanca e parë e Kuvendit është në kundërshtim me rendin kushtetues

Kuvendi i Kosovës do të mbajë nesër dy seanca plenare, ku një nga pikat kryesore të rendit të ditës të seancë së parë, do të jetë çështja e financimit të RTK-së dhe miratimi i buxhetit për komunën e Prishtinës, Gjilanit dhe Zubin Potokut, ndërsa në seancën e dytë pritet të votohet qeveria.

Mirëpo, Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka thënë se seanca e parë është e paligjshme dhe në kundërshtim të rendit kushtetues të Kosovës, raporton Zeri.info.

“Nëse çështjet e renditura në rend dite do të merreshin me seriozitetin që pretendohet sot, vendi nuk do të mbahej i bllokuar për dhjetë muaj me radhë, dhe as do të kalonim nëpër farsën e “përpjekjeve” të rreme për të gjetur marrëveshje me partitë e tjera për formimin e Qeverisë.

Kjo seancë nuk është zgjidhje por është një manovër politike e pushtetit, të cilës i është bashkuar së fundi edhe Presidentja Osmani, për të zhvendosur fajin te të tjerët për pasojat e rënda financiare me të cilat do të pëballet vendi”, theksoi Krasniqi.

Sipas tij, në vend të këtyre “lojrave politike”, palët do të ishte mirë të uleshin të diskutonin dhe të shpiknin rrugë të reja për krijimin e institucioneve.

“Vetëm kthimi në legalitet dhe përgjegjësi institucionale mund ta nxjerrë vendin nga ngërçi. Gjithçka tjetër është thellim i krizës”, shprehet tutje Krasniqi. /Zëri