De la Fuente: Jemi nga favoritët kryesor për Botërorin 2026

Në prag të sfidës vendimtare ndaj Turqisë, e vlefshme për kualifikueset e Kupës së Botës 2026, trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka dhënë deklaratat e tij në një konferencë për media. Kombëtarja spanjolle ndodhet shumë pranë sigurimit të biletës për Botërorin dhe shihet gjerësisht si një nga pretendentët kryesorë për trofeun, krah Argjentinës.

Megjithatë, De la Fuente tregohet i kujdesshëm dhe i qetë përpara pritshmërive të larta. Ai tha se fakti që një skuadër cilësohet favorite nuk garanton asgjë, pasi në një eveniment si Kupa e Botës është e vështirë të përcaktohet qartë kush është më i forti. Sipas tij, diferenca midis suksesit dhe dështimit është shumë e vogël.

Duke folur për mungesat dhe menaxhimin e grupit, trajneri spanjoll pranoi se disa lojtarë nuk janë të gatshëm, por e konsideroi këtë një mundësi për futbollistët e tjerë që të tregojnë vlerat e tyre. Ai veçoi Ferran Torres, të cilin tha se e njeh që në moshën 16-vjeçare, duke e përshkruar si një lojtar të talentuar, të gjithanshëm dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar ekipin.

De la Fuente shtoi se stafi teknik do të analizojë çdo detaj para ndeshjes për të zgjedhur formacionin optimal. Ai theksoi se drejtimi i Spanjës është një privilegj i madh dhe pjesëmarrja në një Kupë Bote mbetet një përvojë unike. Trajneri u shpreh se ekipi synon të hyjë në fushë me mentalitet fitues, duke respektuar kundërshtarin dhe duke kërkuar rezultatin maksimal.