Kosovë-Zvicër, çka thonë rregullat e UEFA-s e FIFA-s kur bie shi i madh si ky sot?
Prishtina po përballet me reshje të dendura shiu ditën e sotme, teksa stadiumi “Fadil Vokrri” do të presë ndeshjen vendimtare Kosovë – Zvicër në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, me fillim nga ora 20:45.
Autoritetet e stadiumit dhe Federata e Futbollit të Kosovës kanë konfirmuar se, me gjithë motin e keq, ndeshja pritet të zhvillohet sipas orarit.
Stadiumi është i gatshëm për pritjen e lojtarëve dhe tifozëve, dhe masat e nevojshme për siguri dhe mirëmbajtje janë marrë.
Sipas rregullave të FIFA dhe UEFA, ndeshjet mund të zhvillohen edhe në kushte reshjesh të dendura, për sa kohë fusha është e sigurt për lojtarët dhe nuk ka rrezik për dëmtim.
Në rast se kushtet bëhen të papërshtatshme, arbitri kryesor ka të drejtën të ndalojë ndeshjen ose ta shtyjë për një moment tjetër, pas konsultimit me organizatorët dhe ekipet, shkruan Express.
Kosova hyn në këtë sfidë me 10 pikë në Grupin K, duke ndjekur Zvicrën me 13 pikë. Një fitore sonte mund të rrisë ndjeshëm shanset për kualifikim direkt në Botëror, ndërsa një humbje do të konfirmonte pjesëmarrjen e Kosovës në playoff.
Reshjet e dendura nuk pritet të pengojnë zhvillimin e ndeshjes, por siguria e lojtarëve dhe e tifozëve mbetet prioritet kryesor për organizatorët.