Zelensky planifikon vizitë në Turqi për t’i ringjallur bisedimet e paqes

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se planifikon ta vizitojë Turqinë të mërkurën në një përpjekje për të ringjallur bisedimet me Rusinë se si t’i jepet fund luftës në Ukrainë.

Një burim turk tha për Reuters se i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff do të vizitonte gjithashtu Turqinë të mërkurën dhe do t’i bashkohej bisedimeve të planifikuara atje me Zelenskyn.

“Ne po përgatitemi të rigjallërojmë negociatat dhe kemi zhvilluar zgjidhje që do t’ua propozojmë partnerëve tanë. Të bësh gjithçka që është e mundur për ta afruar fundin e luftës është përparësia kryesore e Ukrainës”, tha Zelensky, i cili po vizitonte Spanjën të martën, në lidhje me takimet në Turqi.