Kryediplomati gjerman ia thotë në sy Gjuriqit: Normalizimi me Kosovën, kusht i madh për BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme i Gjermanisë, Johann Wadephul, ka dhënë porosi të forta për Serbinë.

Gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij serb, Marko Gjuriq, kryediplomati nga Berlini ia ka bërë të qartë palës serbe.

“Gjermania dhe Bashkimi Evropian janë gati të jenë partnere të Serbisë në rrugën e saj drejt BE-së, por që të jetësohet përparim në këtë çështje, është i pakapërcyeshëm dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, nën udhëheqjen e BE-së”, tha Wadephuli.

Shefi i diplomacisë gjermane po ashtu u kujtoi të dyja shteteve sikur Republikës së Kosovës, ashtu dhe Serbisë se Marrëveshja e Ohrit e arritur më 18 mars 2023 duhet të zbatohet dhe se kjo vlen si për Serbinë, ashtu dhe për Kosovën.

Wadephuli të martën pasdite arrin në Prishtinë, ku mes të tjerash takon presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Qysh në nisje të turnet diplomatik në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, topdiplomati i Gjermanisë e bëri të qartë se Berlini “do të punojë fortë që të gjitha shtetet e rajonit të anëtarësohen në BE”, sepse, sipas tij, të gjitha këto vende e kanë vendin në familjen e madhe evropiane.