Nis edicioni i tretë i Javës së Filmit Etnografik në Prishtinë
Edicioni i tretë i Javës së Filmit Etnografik ka nisur sot në Fakultetin Filozofik në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 20 nëntor 2025. Kjo ngjarje synon të promovojë filmin si një mjet kërkimor, interpretues dhe reflektues në fushën e antropologjisë.
Gjatë tri ditëve të aktivitetit do të shfaqen filma të përzgjedhur që trajtojnë tema të ndryshme kulturore, sociale dhe komunitare, duke ofruar qasje të reja mbi realitetet që studiohen nga antropologët.
Pas çdo projekcioni, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të marrin pjesë në diskutime të hapura me panelin e përbërë nga studentë, studiues dhe profesorë të Departamentit të Antropologjisë. Aktivitetet zhvillohen në Sallën 014 të Fakultetit Filozofik. /kultplus