Etiopia konfirmon 3 viktima nga virusi vdekjeprurës Marburg, shpallet shpërthim i ri

Autoritetet shëndetësore në Etiopi kanë konfirmuar tre vdekje nga virusi shumë i rrezikshëm Marburg, një sëmundje e ngjashme me Ebolën që shkakton hemorragji të brendshme dhe ka një fatalitet deri në 88% të rasteve.

Ministrja e Shëndetësisë, Mekdes Daba, njoftoi se shpërthimi është identifikuar në rajonin Omo, në jug të vendit, pranë kufirit me Sudanin e Jugut. Nga 17 raste të dyshuara, tre kanë rezultuar fatale, ndërsa aktualisht nuk raportohen raste aktive. Megjithatë, qeveria ka marrë masa të rrepta parandaluese.

Në zonë është dërguar një ekip i përbashkët nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe Africa CDC, për të ndihmuar në testim dhe kontroll të situatës, shkruan Euronews përcjell Gazeta Shneta.

Ndërkohë, Sudani i Jugut ka lëshuar një paralajmërim publik për banorët e katër rajoneve kufitare, duke kërkuar larje të shpeshtë të duarve dhe shmangie të kontaktit me lëngjet trupore të personave të infektuar.

Drejtori i përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, e cilësoi shpërthimin si shqetësues, duke theksuar se Sudani i Jugut ka një sistem shëndetësor të brishtë, gjë që mund ta bëjë kontrollin më të vështirë.

Virusi Marburg vjen nga shqiponjat e frutave dhe transmetohet përmes kontaktit të ngushtë me të infektuarit ose sipërfaqet e kontaminuara. Simptomat përfshijnë ethet, dhimbjet muskulare, diarrenë, të vjellat, dhe në raste të rënda shkakton vdekje nga gjakderdhja e brendshme.

Aktualisht nuk ekziston vaksinë apo trajtim i miratuar për Marburgun.

Shpërthime të ngjashme janë raportuar më herët në Ruandë, Tanzani, Guinenë Ekuatoriale, Angolë, Kongo, Kenia, Afrikën e Jugut, Ugandë dhe Ganë.