Krasniqi kërkon nga partia që ta mbështesin kryetarin e ri

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi gjatë fjalimit të tij në Konventën e kësaj partie, ka folur edhe për kryetarin e ardhshëm të kësaj partie, duke bërë thirrje që të gjithë t’i japin mbështetje.

“Prandaj sot, nga kjo foltore, dua t’u bëj një thirrje të qartë të gjithëve që qoftë edhe një herë gjatë jetës së tyre kanë thënë: Unë jam PDK: Ejani. Bashkohuni. Rikthehuni në shtëpinë tuaj politike. Asnjë prej nesh nuk jemi mbi familjen tonë politike. Le t’i forcojmë radhët dhe le t’i japim Kosovës atë që e meriton. Një alternativë të fortë, moderne, profesionale. Një qeverisje të kompetencës, jo të kaosit. Një lidership të unitetit, jo të përçarjes. Sepse, Kosova nuk ecën përpara pa një PDK të bashkuar”, ka theksuar Krasniqi.

Ai duke theksuar që kushdo që të zgjidhet kryetar i ri sot do ta ketë mbështetjen e tij të plotë, ka bërë thirrje për bashkim dhe unitet, sepse PDK e bashkuar është PDK e pandalshme.

“Për Kryetarin e ri të Partisë Demokratike të Kosovës, megjithatë, kam një mesazh të shkurtër për fund: Çdo udhëheqës është vetëm një rojtar i përkohshëm i një rruge të gjatë. Sot, kur unë po e liroj vendin, dua ta marrësh me vete këtë mendim të lashtë, që dikur poetët e veriut e thoshin për ata që bartnin stafetën: “Rruga nuk i përket udhëheqësit - udhëheqësi i përket rrugës”. Do të vijnë ditë të lehta, por edhe ditë të rënda. Do të ketë duartrokitje, por edhe heshtje e kritika. Por, për sa kohë ecën me qëllim të mirë, me zemër të pastër dhe me punë të sinqertë, rruga vetë do të të udhëheqë”, tha Memli Krasniqi.